Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i shoqëruar nga Zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, ka pritur në takim përfaqësuesin e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë, njëherësh Këshilltar i Lartë për Çështje të Drejtësisë në Zyrën Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) në Departamentin Amerikan të Shtetit, Michael Wasco dhe Dafina Bardhi – Rexhepi, Specialiste e Programeve në INL në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.
Fillimisht, Kryesuesi Hajdaraj e njoftoi z. Wasco, për intensifikimin e angazhimit lidhur me realizmin e aktiviteteve të parapara për këtë vit dhe tejkalimin e sfidave të Këshillit Prokurorial, me ç’rast falënderoi z. Wasco, për mbështetjen e madhe të Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) në Kosovë, i cili fokusohet, ndër të tjera, edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve për luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Nga ana tjetër, Këshilltari e Lartë Juridik në INL, Michael Wasco, falënderoi Kryesuesin Hajdaraj për pritjen, duke theksuar përkushtimin e mëtejshëm të INL-së për të ofruar ndihmë për luftimin e krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan gjatë diskutimeve që patën që të ketë bashkëpunim të shtuar në mes të KPK-së dhe INL-së sa i përket zbatimit të objektivave strategjikë të sistemit prokurorial për zhvillimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe për forcimin e një sistemi të pavarur prokurorial, duke siguruar që institucionet prokuroriale të jenë të lira nga ndërhyrjet politike dhe të përmbushin standardet e njohura ndërkombëtarisht.
INL, përmes Programit të Departamentit të Drejtësisë për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT), mbështet trajnimin e prokurorëve, ofron ndihmë teknike, ndihmon në hartimin e legjislacionit, bën analiza ligjore dhe kontribuon në edukimin arsimor pasuniversitar, duke ofruar mbështetje për zhvillimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe të drejtësisë penale në Kosovë. /2LONLINE/