Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, dhe shefin e grupit të asambleistëve të PDK-së, Florim Kryeziu kanë pritur në takim drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj bashkë me Inxhinierin e Ndërtimit Enver Dreshaj, Udhëheqësin e Divizionit Basri Ahmeti si dhe Arbnore Zogiani asistente.
Në këtë takim është diskutuar për projektin, mjetet e ndara nga Kuvendi, për menaxhimin dhe mbrojtjen e memorialeve.
Kastrati duke falenderuar drejtorin Zogaj për bashkëpunimin ka thënë se komplekset memoriale shumë shpejt do të marrin pamjen e merituar.
“Me drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Bislim Zogaj, diskutuam për projektin në vlerë prej 160 mijë eurosh, ku përfshihet renovimi e ndërtimi i memorialeve për heronjtë tanë. Bustet, shtatoret e lapidarët do fillojnë të renovohen këtë vit. Kjo është më e pakta që institucionet mund ta bëjnë në krahasim me kontributin e sakrificën e tyre për atdheun. Pas takimit, bashkë me z.Zogaj të cilin e falënderoj për bashkëpunimin, vizituam komplekset memoriale për të parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen momentalisht. Angazhimin tonë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike, do ta vazhdojmë deri në përmirësimin e tyre”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës Bislim Zogaj ka shprehur gatishmërinë e tij për të filluar punën për renovimin dhe ndërtimin e memorialeve dhe busteve të dëshmorëve.
Pas takimit ata së bashku kanë vizituar komplekset memoriale për të parë nga afër gjendjen në të cilen aktualisht ndodhen.