“Nën organizimin e OSBE-së sot diskutuam për rekomandimet e Avokatit të Popullit për personat me aftësi të kufizuar në komunën e Gjilanit”, ka bërë me dije, Riad Rashiti, drejtor komunal në Gjilan.
Ai ka bërë me dije se sipas vlerësimit të gjendjes aktuale, këta persona përballen ende me shumë probleme të cilat ia vështirësojnë atyre jetën e përditshme, duke u përballur nga mungesa e gjërave elementare, si në lëvizjen e lirë në rrugët dhe trotuaret e qytetit, me qasjen e kufizuar në objektet institucionale, me nevojat e veçanta në arsim dhe edukim, mos respektimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara etj.
Rashiti ka thënë se aktualisht ekziston një vullnet i lartë dhe gatishmëri e plotë e institucioneve komunale, OJQ-ve dhe e institucioneve të ndryshme, për të bashkëvepruar në përmirësimin dhe avancimin e kushteve për jetë të barabartë të personave me aftësi të kufizuara.
“Nga tani e tutje, në veçanti gjatë vitit 2023 do të shihen rezultatet konkrete të punëve dhe shërbimeve që të ofrohen nga komuna e Gjilanit për këtë kategori të shoqërisë sonë”, ka thënë Riad Rashiti, drejtor i drejtorisë Komunale për Buxhet dhe financa në Gjilan. /2LONLINE/