/2L ONLINE/ – Sot deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-se, Murat Hoxha, i shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra” Kushtrim Kadriu, zhvilluan një takim me kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi dhe me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë Fatmir Hasani.
Gjatë këtij takimi u diskutua për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët si në nivel të qeverisjes lokale po ashtu edhe në nivel të qeverisjes qendrore. Si problem primar u konsideruan pasivizmi i shtetësisë për qytetarët e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjes, si dhe problemet shoqërore në tërësi që e preokupojnë këtë zone.
Deputeti Hoxha shprehu përkrahjen për dhënien e kontributit të tij në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe shprehu gatishmëri të jetë një zë i fuqishëm i këtyre qytetarëve në kuvendin e Kosovës.
Kurse Kushtrim Kadriu kryetar i Lëvizjes “Vatra”, kërkoi nga komuna e Bujanocit të bëjë krijimin e trupave të bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim krijimin e urave sa me të fuqishme të bashkëpunimit në mes të komunave në Kosovën Lindore dhe atyre të Republikës se Kosovës.
Deputeti Fatmiri Hasani shprehu shqetësimet e tij për gjendjen e shqiptarëve në këto treva dhe shpalosi brengat me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, ku gjithash kërkoj angazhimin e Prishtinës zyrtare për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Kryetari Shaip Kamberi informoi për gjendjen në Komunën e Bujanoc dhe shpalosi planet dhe të arriturat e tij, ku mysafirët i informoi për ecurinë e asfaltimit të rrugës Muhoc–Zarbicë e cila është arterie kryesore për kthimin e banorëve të dëbuar nga Malësia e Bujanocit.
Palët u dakorduan që së bashku të vazhdojnë punët në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të kauzës se pa zgjidhur të Shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë, Medvegje. /2L ONLINE/