Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim përfaqësues nga projekti EUKOJUST, Sara Baxley dhe Xhevdet Gegollaj.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi nga ana e përfaqësuesve me projektin në fjalë, program i Bashkimit Evropian, që ju siguron mbështetje dhe veçanërisht ofron qasje më cilësore në drejtësi për komunitetin LGBT dhe RAE.
Në këtë takim, Kryeprokurori Munishi, njoftoi të pranishmit me strukturën organizative, të arriturat dhe sfidat e kësaj prokurorie. Po ashtu, rekomandoi të organizohen trajnime profesionale për prokurorë në trajtimin e rasteve të kësaj natyre, si dhe të rritet bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore në ofrimin e mbrojtjes së kësaj kategorie.
Ndërsa, përgjegjësja e Departamentit të Përgjithshëm të kësaj prokurorie, znj. Jehona Grantolli, theksoi se sfidë në punën e prokurorëve mbetet identifikimi i rasteve të tilla dhe mos raportimi i tyre në institucionet e drejtësisë nga ana e viktimave.
Njëkohësisht njoftoi të pranishmit me Udhëzimin për harmonizimin e praktikave për kualifikim juridik të veprës penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit, e nxjerrë nga Kryeprokurori i Shtetit.
Në fund, Kryeprokurori Munishi, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrimin e përkrahjes në realizimin e këtij projekti. /2LONLINE.com/