Policia e Kosovës, njësitet Policia në Komunitet, sot kanë mbajtur takimin e radhës me Këshillin për siguri publike të Lagjes “Avdullah Presheva”, këtu në Gjilan, ku është diskutuar rreth çështjes së sigurisë në lagje dhe janë diskutuar plane dhe projektet për të ardhmen.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se anëtarët e këtij Këshilli për siguri janë pritur edhe nga Komandanti i sapo emëruar Major Alban Ramushi i cili të pranishmëve u ka premtuar mbështetje dhe përkrahje të gjithë anshme nga ana e Policisë së Kosovës, stacioni policor i Gjilanit.
“Edhe anëtarët e këshillit nga ana e tyre janë zotuar se do të jenë pjesë e pandashme në përpjekjet për të mbështetur dhe quar përpara Strategjinë Policimi në bashkësi, dhe të gjitha aktivitetet tjera që kanë synim përparimin dhe ngritjen e sigurisë për të gjitha komunitetet e komunës sonë”, ka thënë zëdhënësi Hashani.