(2LONLINE) – Sot në Viti është mbajtur diskutimi publik i propozim rregullores për Organizimin e transportit brenda territorit të komunës së Vitisë. Në këtë diskutim publik kanë marrë pjesë taksistët, përfaqësues të linjave të autobusëve dhe kombi-busëve të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre si mungesa e hapësirave për veprim, pengesat me të cilat hasën ata nga taksistët e komunave fqinje të cilat sipas tyre i dëmtojnë ata në marrjen e udhëtarëve si dhe një varg pengesash të tjera për të cilët kërkuan nga organet përgjegjëse që të bëjnë zgjidhje .
Bushat Zuka Inspektor I komunikacionit, duke prezantuar rregulloren në fjalë tha se ajo ka për organizimin e transportit publik në të gjitha sferat e transportit edhe të mallrave, ku parashihen format , masat e ndëshkimit dhe sanksionet tjera.
“Rregullorja bazohet kryesisht në ligjin e transportit rrugor i miratuar vitin e kaluar. Me vërejtjet dhe sugjerimet tuaja, të cilat do ti inkorporojmë, ne do ta procedojmë për miratim në Kuvendin Komunal”, ka thënë Zuka.
Ai shtoi se kjo rregullore parashihet të organizoj transportin publik të komunës së Vitisë për 5 vitet e ardhshme. Gjatë këtij takimi kanë folur edhe përfaqësuesi i Stacionit Policor në Viti Bulend Zenuni si dhe përfaqësuesi i DSHPE-së Driton Halabaku. /2lonline/