Gjatë dy ditëve të fundit Policia Kufitare përpos zbulimit të shumë rasteve të falsifikimit të dokumenteve dhe kontrabandimit të mallrave, janë zbuluar edhe dy raste të ‘kontrabandimit me migrantë’ dhe një rast i ‘kontrabandimit të duhanit’ me sasi të madhe si dhe janë arrestuar 4 persona të dyshimtë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem JASHARI” në Prishtinë zyrtarët policorë kanë arrestuar katër persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’. Njëri nga të arrestuarit është punëtor i Aeroportit
Rasti tjetër ka ndodhur në pikëkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’. Zyrtarët policorë kanë ndalur një veturë në të cilën gjendeshin, përpos vozitësit, edhe tre persona tjerë. Pas kontrollit dhe intervistimit të tyre është kuptuar se këta persona kishin paguar shuma të konsiderueshme, me qëllim të shkuarjes në një shtet të Bashkimit Evropian. Pas konsultimit me prokurorin kompetent është hap rast i ‘kontrabandimit me migrantë’.
E rasti i tretë ka ndodhur në brezin kufitar (Vijën e gjelbër) me Shqipërinë, konkretisht në fshatin Vërmicë, kanë arritur të zbulojnë tre kuaj të ngarkuar me një sasi të konsiderueshme të duhanit, të cilët kishin kaluar kufirin nëpërmjet vijës kufitare. Sasia e duhanit të konfiskuar është 40 paketa cigare, filterë të mbushur mekanikisht dhe 14 qese plastike me peshë përafërsisht nga 10 kg, duhan i papaketuar (refuzë).