Nga: Biser MEHMETI
DISA FJALË PËR LIBRIN ME TREGIME TË MUHAMET HALILIT, “NJË EMËR NGA LETËRNJOFTIMI”
( Me rastin e botimit dhe përurimit të këtij libri, edituar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, prill 2022 )
Muhamet Halili bën pjesë në mesin e krijuesve që vazhdon të shkruajë me pasion të madh në fushën e prozës, sidomos kur kihet parasysh fakti se numri i atyre që sot shkruajnë prozë është i vogël. Kam pasur rastin të lexoj edhe veprat e tjera të këtij krijuesi.
Sa i përket librit me titull “ Një emër nga letërnjoftimi” mund të them se shkrimtari vazhdon me mjaft sukses të sjell tema dhe ide të reja, të cilat i shfaq nga një tregim në tregimin tjetër. Ajo që më ka bërë përshtypje të ky libër është gjuha që autori e përdor në këto tregime.
Muhameti mbase e ka kuptuar se gjuha është mjeti kryesor që posedon autori gjatë shtjellimit të ngjarjeve të ndryshme përmes të cilave orvatet të arrijë deri te ideja që e shfaq në secilin prej këtyre tregime që e përbëjnë librin si tërësi.
Gjuha që Muhameti e përdor është e rrjedhshme, e qartë dhe mjaft e kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve. Muhameti ndoshta nuk ka dëshirë të ngarkojë lexuesin me figura letrare, të cilat mbase e bëjnë lexuesin të kredhet në mendime të thella për të arritur deri te ideja që autori e shfaq.
Përveç kësaj dialoget janë një mënyrë tjetër që autori përdor për të shfaqur fabulën që e shtjellon në tregimet e tija. shpesh dialoget që i shfaq nëpër tregime duket sikur e rëndojnë ngjarjen, po në fund shohim se autori dialoget i përdor me qëllim që të shtjellojë sa më mirë ngjarjen që e trajton. Duket sikur Muhameti e ka të qartë se dialoget në njëfarë mënyrë janë mënyrë e përshtatshme për të shtjellur temën që e trajton në tregimet e tija, të cilat i zgjedh me kujdes të madh.
Duke lexuar tregimet e kësaj përmbledhje na bie në sy se Muhameti është i përqendruar në trajtimin e temave të ndryshme, të cilat në njëfarë mënyre i kanë lënë përshtypje të madhe gjatë procesit krijues.
Shumë nga këto tema që i trajton duket sikur i kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij.
Në radhë të parë shkrimtari me mjaft sukses demaskon njerëzit servilë, të cilët për të arritur qëllimet e tyre të poshtra bëhen shërbëtorë armikut. Mirëpo autorin sikur e pengon një veprim i këtillë i servilëve, andaj kujdeset që fundi i tyre të jetë tragjik. I tillë është tregimi me të cilin hapet libri “Ëndrra e një sorre” , titull ky që na bën ta kujtojmë tregimin e Hivzi Sylejmanit “Ëndrra e korbit”, po që tematikisht nuk kanë kurrfarë ngjashmërie. Ngjarja e këtij tregimi, edhe pse autori nuk e shfaq, kuptohet se ka ndodhur para lufte, atëherë kur disa shqiptarë për para e famë bëheshin shërbotër të armikut, po që përfundonin tragjikisht.
Muhameti në tregimet e kësaj përmbledhje me një gjuhë të thjeshtë, po mjaft domethënëse trajton edhe temën e së kaluarës historike, duke skalitur me mjaft mjeshtri jo vetëm ngjarje të lavdishme, po edhe duke portretizuar figura të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Këtë më së miri e trajton në tregimin “Fluturimi i shiqiponjës që shkroi historinë”.
Një tregim tjetër që më ka bërë përshtypje gjatë leximit të kësaj përmbledhje me tregime është edhe tregimi “Ela” në të cilën Muhameti paraqet një temë të dhimbshme, temën e fëmijës që lind nga një dhunim i një femrës nga një ushtar i armikut. Me fjalë të zgjedhura, autori ia ka dalë me mjaft sukses të shpalos një pjesë të psikologjisë së fëmijës që e kupton se ka ardhur në jetë në mënyrë të pazakonshme, po që nuk ka mundësi të ndryshojë asgjë nga jeta e saj.
Shikuar në përgjithësi përmbledhja me tregime “Një emër nga letërnjoftimi” i autorit Muhamet Haliti është një sprovë që autori e ka kaluar me mjaft sukses duke na dhënë një dëshmi se ai ka çka të na oftojë edhe në të ardhmen. /2LONLINE/
___
( Ky vlerësim u paraqit në aktin solem të përurimit të librit të Muhamet Halilit – “Një emër nga letërnjoftimi”, mbajtur në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan, më 28 maj 2022, nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu” , bibliotekës si dhe autorit )