Sot, në Shkollën e Artit Pamor “Adem Kastrati”, në Gjilan, ka përfunduar ceremonia e diplomimit të nxënësve, të cilët gjatë këtyre tri viteve të fundit, kanë ndjekur mësimet në këtë shkollë.
Dita e sotme, për ta, ishte e veçantë pasi, pas angazhimesh e përpjekjesh, jo të vogla, ata sot kurorëzuan arritjet e tyre, të cilat sot u konfirmuan nga drejtues të shkollës.
Krahas, nxënësve, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë profesorë, prindër e familjarë të nxënësve.
Drejtori i shkollës, Roland Masurica ka uruar nxënësit maturantë për arritjet e jashtëzakonshme në rrugëtimin e tyre si artistë të së ardhmes.
“Sot, dëshmojmë shkëlqimin tuaj si artistë. Në këtë moment, bota e artit është më e pasur për shkak tuaj. Me mbarimin e këtij kapitulli, ju filloni një udhëtim të ri në botën e artit. Inkurajojuni përpara dhe ruani pasionin tuaj për krijimtarinë. Diploma juaj është shenjë e talentit dhe punës suaj të palodhshme”, ka thënë ai, duke i lutur ata që të vazhdojnë me këtë përkushtim pasi me vizionin e tyre unik ata do të ndriçojë botën e artit.
Para të pranishmëve, në emër të kujdestarëve të klasave që diplomuan sot ka folur profesor Rexhep Bunjaku, kujdestar i klasës XII/3.
Ai pasi ka uruar nxënësit për përfundim të këtij cikli shkollimi, ka thënë se nxënësit që po diplomojnë sot, gjatë tri viteve të shkollimit, në shkollën tonë kanë shënuar rezultate të shkëlqyera.
“Ky sukses i juaj është produkt i një angazhimi të përbashkët me ju por edhe me prindërit të cilët gjithmonë ishin në kontakt me ne dhe na ndihmuan përherë kur na është dashur mbështetja e tyre”, ka thënë ai, duke u uruar suksese edhe gjatë pjesës tjetër të shkollimit.
Nxënësit që diplomuan sot, mësimet e tyre i kanë ndjekur në drejtimet: pikturë, dizajn grafik, dizajn veshjeje dhe dizajn enterieri. /2LONLINE/