Kuvendi Komunal mban të premten dy seanca të jashtëzakonshme, njëra që ka të bëjë me miratimin e KAB-it 2024-2026 dhe tjetra e thirrur nga opozita, me pikën e rendit të ditës që ka të bëjë me shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit.
Zhvillimeve të reja politke në Gjilan u parapriu prishja e koalicionit Vetëvendosje – PDK, që për rrjedhojë pozita humbi shumicën. Tani me kërkesë të opozitës, synohet shkarkimi i kryesuesit aktual, Arianit Sadiku, pikërisht në seancën e të premtes.
Dhe, derisa duket se kjo do të ndodh dhe votat për shkarkim do të sigurohen, zgjedhja e kryesuesit të ri, sipas parashikimeve të momentit, mund të jetë çështje që do të mbetet pezull për shkak kalkulimeve politike. Aktualisht vetëm Kushtrim Kadriu ka dalë hapur në publik se e do këtë pozitë, por se për këtë i duhet mbështetja, e veçmas e LDK-së opozitare, por e cila duket se ka edhe ajo një të interesuar që këmbëngul për kryesues, ndërkohë që nga PDK-ja thuhet se një interesim i mëhershëm ka hequr dorë.
Kalkulimet politike, sidomos të LDK-së, si dhe roli i PDK-së në këtë çështje, por gjithsesi edhe kalkulimet e pozitës (Vetëvendosjes), mund të bëjnë që pas shkarkimit të kryesuesit aktual edhe mos të zgjidhet fare kryesuesi i ri, të shtyhet procesi për të, ndërkohë që Kuvendin Komunal do ta drejtonte anëtari më i vjetër, e nga përbërja aktuale, ai është Ismajl Kurteshi i Vetëvendosjes.
Kjo kohë do t’i konventonte pozitës, Vetëvendosjes, e cila, pas humbjes së shumicës, po punon në sanimin e situatës dhe kthimin e fuqisë edhe në Kuvend. Siç dihet, pas prishjes së koalicionit me PDK-në, e cila drejtonte katër drejtori dhe kishte edhe pozitën e nënkryetarit të komunës, Vetëvendosje “luan” me kartën e dy drejtorëve dhe pozitën e nënkryetarit që, për pushtetin, do të vazhdojnë të jenë të paprekshëm (të PDK-së).
Në këtë vazhdë mund të shihet edhe reagimi i sotëm i PDK-së së Gjilanit.
Shih shkrimin: Sipas PDK-së, pushteti po tenton t’i josh asambleistët e opozitës dhe zyrtarët tjerë komunal për ta ri-krijuar shumicën
Në, ndërkohë Vetëvendosje po i rishikon edhe alternativat tjera, me përfaqësues tjerë të Kuvendin si me “Vatrën”, por edhe me AAK-në, të cilët mund të kenë oferta “joshëse”, e për ndonjë votë/shërbim, kur u duhet, mund të “peshkojë” së paku edhe në 2 a 3 anëtarë të LDK-së.
Shtyrjen e zgjedhjes së kryesuesit mund ta përdor edhe LDK-ja për kalkulimet e saja në gjetjen e alternativës nga e cila do të mund të përfitonte më së shumti, qoftë si subjekt, apo qoftë edhe individë të caktuar në LDK.
Gjithsesi, mbetet që në njërën nga seancat e nesërme, atë të orës 11:00, e thirrur për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, të shohim edhe ecurinë e mëtutjeshme rreth kësaj çështje, ku mund të kristalizohen apo edhe të mjegullohen gjërat. /2LONLINE/