(2LONLINE) – Ky që po e shihni në foto është Shemsedin Abazi. Dikur brohoritej emri i tij nga tribunat e stadiumit të qytetit, sidomos kur tunde rrjetën e portës kundërshtares, duke bërë që Gjilani të krenohej me një futbollistë që ka, sot pothuajse ky qytet e ka harruar atë! Zakonisht ekziston përshtypja që një lojtar i mirë përveç që ka një ardhme të ndritur si sportistë , ka edhe një jetë më të mirë pastaj edhe jashtë sportit. Por me Abazin ka ndodhur e kundërta. Si duket shoqëria jonë i harron ata sportistë, që sa janë aktiv i ka në agjendë, pastaj kur ata kanë nevojë, i lë pa përkujdesje institucionale.
I tillë është rasti, tani i 62-vjeqarit Shemsedin Abazi, dikur golashënues më i mirë me oferta edhe nga ekipe të ndryshme nga jashtë vendit, sot i pa kërkuar, duke u lënë me familje të tij nën kthetrat e një varfërie, pa kulm mbi kokë.
Ndryshe, Abazi ishte futbollist i klubit të atëhershëm të qytetit “Crvena Zvezda”, dhe konsiderohet njëri ndër futbollistët më të mirë që ka pasur futbolli i Gjilanit. Aloja e djathtë e këtij ekipi, gjatë karrierës së tij futbollistike shpesh herë ishte edhe enigmë e pazgjidhur për shumë portierë të ekipeve kundërshtare. Ai madje shquhej edhe si golashënues i mirë duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i futbollit të Kosovës gjatë karrierës së tij përgjatë dy kampionateve, derisa mesatarja e golave për një kampionat ka qenë diku 20 gola .
“Futbollin e kamë dashur si nëna fëmijën , shumë herë nga shtrati i sëmurë kam luajtur për të mirën e futbollit të Gjilanit, për këtë jam krenarë që kam kontribuar për qytetin tim, por më harruan shpejt. Kur isha në kulmin e karrierës, më premtuan parajsë , ndërsa sot jam i sëmur dhe kam mbetur në mëshirën e shokëve të mijë të gjeneratës të cilët më përkrahin në çdo moment dhe për këtë i falënderohem nga zemra. Me këta bashkëlojtarë kam dhënë rinin time”, shprehet Shemsedin Abazi
Shema, siç e quajnë shokët e tij, kujton ofertat dhe premtimet që kishte gjatë karrierës së tij. Për këtë këmbëshpejtë dhe ‘tmerr” për rrjetën e portës kundërshtare ishin të interesuar, përveç klubeve kosovare edhe ato nga Turqia e Gjer, por ky golashënues i spikatur, gjatë tërë karrierës së tij, i mbeti besnik futbollit gjilanas duke shkrirë rinin e tij për futbollin e qytetit të tij.
“Kam pasur shumë oferta nga shumë klube si nga Kosova njashtu edhe ato ndërkombëtare , por gjithmonë premtimet ishin se do të më japin një shtëpi , do të më punësonin por këto asnjëherë nuk u realizuan ndërsa unë dhashë shëndetin për futbollin e qytetit të Gjilanit. Sot askush nuk më fol e dikur më rrihnin shpinin me premtime, por unë nuk i kam tradhtuar asnjëherë askënd dhe ju kam besuar njerëzve, por kështu e paska jeta”, thotë Abazi.
Abazi flet edhe për futbollin e tanishëm duke bërë krahasime me futbollin që luhej në kohën e tij, duke thënë se ky futboll tani në Kosovë ky nuk është futboll, është biznes. “Kanë bërë disa njerëz disa pare ata sot janë bë trajnerë, drejtorë, bosë. shiten e blihen ndeshjet si në pazar , kjo nuk ka lidhje me futboll. ky është mjerim. A ka sy ndokush ai i përcjellë këto gjëra dikush, kjo është torturë. Për të pasur sukses një klub duhet secili me pas punën e vet dhe në mënyrë urgjente duhet të funksionojnë shkollat e futbollit e në këto shkolla të inkuadrohen trajner të kalibrit të lartë nga jashtë vendit”, thotë Abazi.
Ndryshe, Shemsedin Abazi që përfundoi karrierën e tij prej futbollisti në vitin 1986 , kishte sprovuar veten edhe si trajner ku në vitin 1994 për një stinor ishte në krye të KF Drita, kohë kjo kur futbolli i Kosovës zhvillohej në livadhet e Kosovës . “Ishin kohë të vështira ato vite por dashuria e madhe ndaj futbollit dhe ndaj vendit tim e kam sprovuar vetën për një stinor, por kushtet ekonomike dhe shëndeti nuk më lejuan që ta ushtroj tutje këtë zeje”, shprehet Abazi
E derisa të gjitha ata që e kanë njohur dhe e kanë parë në fushën e blertë, e kujtojnë si një golashënues të spikatur dhe ndër sulmuesit më të mirë të kohës, vetë Abazi ka halle tjera, probleme që ia preokupojnë mendjen. Andaj ai apelon që në këto momente të vështira ti dilet në ndihmë kur është më se e nevojshme
“Bëjë apel tek njerëzit e Komunës së Gjilanit që kontributin e dhënë për sportin e qytetit për më se 20 vite, ta shpërblejnë, pasi këtë e meritoj. Nuk po kërkoj miliona , po kërkoj që në mënyrë njerëzore, që ata që udhëheqin me Komunën e Gjilanit ta rehabilitojnë një legjendë të tyre pasi ka derdhur djersë për këtë vend. Nuk po kërkoj lëmoshë, por vetëm një rehabilitim, kam mbetur nën mëshirën e fatit”, thotë Abvazi
Përndryshe, mësohet se shumë futbollistë të gjeneratës së Abazit por edhe të tjerë, duke përfshirë ata të viteve 7o, 80, e 90, në mënyrë të organizuar do të kërkojnë nga Komuna e Gjilanit që ky futbollist shembullor i cili ka lënë gjurmë të pa shlyera në futbollin e Gjilanit dhe atij të Kosovës, t’i dilet në ndihmë duke i siguruar kulm mbi kokë. /2lonline/