/2L ONLINE/ – Në Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL), që është mbajtur sot në Gjilan, Diellza Selishta, ka fituar besimin që të jetë në krye të këtij organizimi rinor. Me këtë rast, në emër të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kuvendin e KVRL-së e përshëndeti udhëheqësi i Njësisë për Rini, Genc Mustafa, i cili vlerësoi lartë angazhimin e kryesisë së mëparshme me kryetar Valdrin Halimi.
Mustafa tha se vitin 2017 kryetari i komunës e ka shpallur vit të rinisë, pasi që rinia ka arritur të mobilizohet dhe të tregojë rezultate konkrete nëpërmjet projekteve të subvencionuar nga komuna, ku për 2016 buxheti për rini është rritur qind për qind.
Kuvendi ka qenë i rregullt sipas të gjitha procedurave të statutit dhe rregullores për zgjedhjet në KVRL e cila ka ndjekur hap pas hapi të gjitha pikat e rendit të ditës, nga raportimi punës së udhëheqjes së fundit me kryetar Valdrin Halimi, e deri tek pika e fjalimeve dhe zgjedhjen e bordit një nga një të anëtarëve të propozuar nga kuvendi i KVRL-së.
Përndryshe, në këtë Kuvend me 33 përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe këshillin e nxënësve, këshillat e fakulteteve, është votuar kryetari me kryesinë dhe bordi prej 11 anëtarëve ku tre(3) prej tyre i takojnë komuniteteve pakicë në Gjilan.
Pas këtij procesi, sipas rezultatit të votimit Diellza Selishta u zgjodh kryetare e re e KVRL Gjilan, gjithashtu kryesia dhe bordi janë që të gjithë anëtar të ri që të cilët nuk kanë qenë asnjëherë në këto pozicione të KVRL-së.
Kryesia tani më në largim, u ka uruar suksese edhe më të mëdha kryetares së re dhe gjithë strukturës së KVRL-së, duke qenë gjithherë të gatshëm ta ndihmojnë atë. /2L ONLINE/