Kushtet e Vetëvendosjes për vazhdimin e dialogut me Beogradin po i shtojnë dilemat e ndërkombëtarëve në lidhje me mbështetjen që mund t’i japin eventualisht bllokut të ri për krijimin e qeverisë ndërmjet partive, LDK, AAK dhe Nisma.
Pas vizitave të fundit të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë në Prishtinë, ishin shtuar kërkesat që koalicioni i ardhshëm të ndërtohej ndërmjet partive politike PDK, LDK dhe AAK të dëshmuara si mbështetëse të bisedimeve me Serbinë.
Kurse si kompromis për LDK-në dhe AAK-në, nuk ishte përjashtuar mundësia që qeveria të drejtohej jo nga Hashim Thaçi, por nga kandidati i opozitës Ramush Haradinaj, shkruan Tribuna.
Faktori ndërkombëtar insiston që qeveria e re të ketë një nga objektivat e veta vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Politikat e bashkëpunimit ndërfqinjësor, sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë, janë të domosdoshme për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.
Nisur nga ky fakt, dy akterët kryesorë të marrëveshjes, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa janë deklaruar publikisht se mbështesin vazhdimin e bisedimeve me Beogradin.
Por, blloku LDK, AAK dhe Nisma me gjithsej 47 deputetë nuk përbëjnë një shumicë të qëndrueshme parlamentare, kështu që supozohet se do të varen në vazhdimësi nga mbështetja e Vetëvendosjes.
E përbashkëta e opozitës është se të gjitha partitë e duan PDK-në jashtë qeverisë.