Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore të policisë Rajonale në Gjilan në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë kanë organizuar sot, në lokalet e stacionit policor të Gjilanit, dhënien vullnetare të gjakut.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se policët dhe stafi udhëheqës i policisë së Kosovës këtu në Gjilan i janë përgjigj kësaj thirrje me moton: “Dhuro gjak, shpëto jetë!” ku së paku 17 pjesëtarë të policisë kanë dhuruar gjak.
“Ky aksion me karakter humanitar po gjen përkrahje të gjerë te eprorët, policët dhe stafi civil brenda strukturave të Policisë së Kosovës këtu në Gjilan dhe stacionet tjera në kuadër të drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës, në Gjilan”, ka thënë zëdhënësi Hashani.