/Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit për 8 Marsin, e cila u thirr nga këshilltarët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje, u diskutua për dhunën ndaj grave. Më poshtë gjeni fjalën e Arbëreshë Kryeziu – Hysenit, anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/
Arbëreshë Kryeziu – Hyseni
Dhuna në familje në vendin tonë, po shënon ngritje çdo vit e më shumë. Ndërsa, si njëra nga format më të përhapura të dhunës është identifikuar pikërisht dhuna ndaj grave. Që nga viti 2013 e deri në vitin 2017, numri i grave mbi të cilat është ushtruar dhunë, është rritur vazhdimisht, ku sipas Policisë së Kosovës, çdo vit rreth 1000 gra raportojnë dhunën në familje.
68% e grave kosovare kanë përjetuar një apo më shumë forma të dhunës gjatë jetës së tyre, 41% e grave kosovare kanë përjetuar dhunë te rende e në mesin e tyre ka edhe raste që si pasojë e dhunës kanë humbur jetën.
Dhuna në familje klasifikohet si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ndërsa për trajtimin dhe zvogëlimin e saj si dukuri, konsiderohen të merren masa dhe përpjekje të vazhdueshme institucionale. Për këtë arsye, fillimisht shteti, e pastaj edhe komunat, do të duhej të merrnin të gjitha masat e nevojshme që nga identifikimi i problemit e deri te ofrimi i masave dhe shërbimeve adekuate për viktimat e dhunës në familje.
E dimë që Qeveria e Kosovës, përmes përgatitjes, zhvillimit dhe miratimit të “Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planit të Veprimit 2016-2020”, është munduar të shprehë angazhim serioz të trajtimit me prioritet të këtij fenomeni mjaft aktiv në shoqërinë tonë. Kështu thuhet të kenë vepruar edhe institucionet tjera përgjegjëse, por që në realitet kemi një pasqyrë tjetër të situatës, nga ajo e kërkim-mbrojtjes nga viktima, e fatkeqësisht edhe deri tek vdekja, dhe jo rrallë herë si pasojë e neglizhencës pikërisht nga organet kompetente.
Për të mos hyrë në detaje, e kemi shembullin më të freskët të gjykimit për rastin e vrasjes se Donjeta Pajazitit, ku kryerësi i kësaj vepre u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje,sepse mesa duket të mbash një armë pa leje, është krim më i rëndë se sa të vrasësh një 24 vjeçare.
Ajo çfarë ndodhë në realitet, është që në çdo kohë, ndaj grave ushtrohet dhunë për arsye nga më të ndryshmet, gratë keqtrajtohen, gratë ngacmohen, gratë shtypen, grave i mohohen të drejtat dhe shpesh i mohohet edhe jeta.
Ndërsa, ajo çfarë ndodhë në realitet, është se rrallë herë shohim që të merren masa konkrete, t’i ofrohen shërbime adekuate dhe të marrin dënimet e merituara kryerësit e këtyre veprave. Dhe pikërisht si rezultat i kësaj, rastisë që viktimat e dhunës në familje ta vënë në dyshim besimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe kjo si pasojë e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për të mbrojtur dhe përkrahur gratë që pësojnë dhunë, moskoordinimit ndërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore dhe Zyrtarëve të Barazisë Gjinore nëpër komuna, mungesës së burimeve njerëzore dhe kapaciteteve profesionale, mos konsiderimi si prioritet nga ana e institucioneve për zbatimin e ligjit, madje rol të madh këtu luan pasiviteti i Qendrave për Punë Sociale, në ofrimin e ndihmës për rastet e dhunës në familje.
Madje edhe në këtë moment kur ne po flasim për këtë dukuri, ka gra që goditen, ka gra që kapen për flokësh, ka gra që rënkojnë si pasojë e dhunës që ushtrohet mbi to. E madje edhe gjatë ditës, kur ju gra përgatiteni për të festuar 8 Marsin nëpër mbrëmje argëtuese, ka gra që i përcjellë grushti, e në vend të muzikës, dëgjojnë bërtima, të shara dhe ofendime nga më të ndryshmet.
Kjo i ndodhë femrave, i ndodhë grave jo vetëm në komunën tonë, por në të gjithë Kosovën. Një femre, një gruaje, një nëne, që do të mund të kisha qenë unë, apo që do të mund të kishte qenë kushdo nga ju. Një femre që kërkon arsimim, një gruaje që kërkon të drejta dhe një nëne që kërkon një familje të shëndoshë.
Prandaj, unë iu bëjë thirrje të bashkohemi dhe ta luftojmë këtë fenomen. Sepse kur ushtrohet dhunë fizike ndaj dikujt, nuk ka dallime partiake dhe as ideologji. Ka dhimbje, ka vuajtje dhe ka dëshirë për jetë më të mirë.
Dhuna në familje është krim dhe si e tillë duhet të ndëshkohet. Pasi pikërisht në familje, aty ku secili anëtarë mendohet se e gjen sigurinë, paqen dhe qetësinë, pikërisht aty, jo rrallë herë, e gjen frikën, tmerrin, goditjen e madje edhe vdekjen.