Me inicimin e Vetëvendosjes, Kuvendi debaton për dhunën ndaj gruas

Me inicimin e Vetëvendosjes, Kuvendi debaton për dhunën ndaj gruas

Sot, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, u mbajt seancë e jashtëzakonshme për Ditën Ndërkombëtare të Gruas 8 Marsin. Kjo seancë u iniciua nga grupi i këshilltarëve komunal të Lëvizjes Vetëvendosje!, të cilët kërkuan hapjen e diskutimin në lidhje me dhunën ndaj grave në komunë dhe më gjerë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan.

I pari që mori fjalën në këtë seancë ishte shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Nevzad Isufi, i cili tha se analiza e të dhënave cilësore të ekspertëve tregojnë se mentaliteti patriarkal, superioriteti i meshkujve, diskriminimi gjinor brenda familjes së bashku me bazën e dobët ekonomike dhe financiare, nivelin e ulët të punësimit, kërkesave gjithnjë në rritje nga fëmijët, varësia nga dukuritë devijuese në shoqëri si alkooli, drogat, xhelozia, gjendja e shëndetit mendor, mungesa e aftësive të mjaftueshme prindërore në rritjen dhe edukimi të fëmijëve, komunikimi i varfër mes anëtarëve të familjes, janë disa nga arsyet më kryesore pse dhuna në familje është një dukuri e përhapur. Por edhe moszbatimi i duhur i ligjit konsiderohet si një faktor nxitës për këtë dukuri.

Nevzadi gjithashtu ka thënë se ndonëse manifestimi i dhunës nuk mund të përcaktohet saktë me kufij administrativ e komunal, nga disa shifra të bëra publike në dy vitet e fundit del se si komunë e Gjilanit as në këtë aspekt nuk qëndrojmë mirë, ose qëndrojmë ta zëmë më keq se komuna e Ferizajt dhe Prishtinës, natyrisht këtu është marrë parasysh edhe madhësia e komunës dhe numri i banorëve.

Për këtë arsye kemi nevojë për rritjen e ndjeshmërisë dhe ndërgjegjësimit më të madh si individë, si institucione e si shoqëri, në mënyrë që në luftimin e dhunës në familje ta bëjmë më të efektshme dhe më të suksesshme. Në mënyrë që të kemi sa më pak viktima, të lënduar fizikisht e të prekur shpirtërisht nga kjo dhunë.

Si shoqëri më shumë jemi të predispozuar të merremi me pasojat se sa me eliminimin paraprak të shkaqeve të dhunës dhe mendoj që këtë praktikë jo të mirë duhet ndërruar.

Diskutimin e vazhdoi edhe këshilltarja komunale nga radhët e LVV-së Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, e cila tha se dhuna në familje klasifikohet si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ndërsa për trajtimin dhe zvogëlimin e saj si dukuri, konsiderohen të merren masa dhe përpjekje të vazhdueshme institucionale.

Për këtë arsye, fillimisht shteti, e pastaj edhe komunat, do të duhej të merrnin të gjitha masat e nevojshme që nga identifikimi i problemit e deri te ofrimi i masave dhe shërbimeve adekuate për viktimat e dhunës në familje. Kryeziu Hyseni, kërkoi më shumë angazhim institucional, në mënyrë që të mos bije besimi në sistemin e drejtësisë, gjë që po ndodhë, ku si rezultat i kësaj kemi hezitim si nga ana e qytetarëve po ashtu edhe nga ana e viktimave të dhunës në familje, që të raportojnë për rastet. Ndërsa, i ka bërë thirrje grave asambleiste, që të angazhohen dhe bashkërisht të punojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale kur është në pyetje çështja e ushtrimit të dhunës në familje.

Fjalën e ka marrë edhe Arijeta Rexhepi – këshilltare komunale e LVV-së, e cila ka thënë se pavarësisht viteve që kanë kaluar, gruaja vazhdon të jetë e prekur nga keqtrajtimi dhe dhuna. Rexhepi ka thënë se shumë organizata nuk ngurrojnë t’u vine ne ndihme këtyre grave, duke i bere te kuptojnë sa te rëndësishme mund te bëhen ne shoqëri.

Rrallë ndodh që në aktivitete të organizuara për probleme të barazisë gjinore të jenë të ulur në një tavolinë dhe diskutojnë së bashku burrat dhe gratë. Duhet të punojmë së bashku të diskutojmë ashtu siç jemi sot , gruaja që keqtrajtohet e ndaj saj shtrohet dhunë të ketë besim në organet kompetente, të ketë siguri ashtu që ajo të ketë guximin për të denoncuar, e ta mposht frikën. Me arsimimin e gruas, vajzave, kushteve më të mira ekonomike si dhe e drejta për trashëgimin do të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të grave të keqtrajtuara.

KOMENTE