(2L ONLINE) – Shoqata “Psikoterapeutët në Veprim” ka përmbyllur aktivitetin dyjavor “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”, kohë kjo gjatë së cilës janë zhvilluar debate në shtatë komuna të regjionit të Gjilanit.
Sevdije Musliu, drejtoreshë e OJQ “Psikoterapeutët në Veprim”, ka thënë se qëllimi i këtij, i cili është mbështetur nga Ambasada Holandeze ishte sensibilizimi i institucioneve përkatëse dhe në veçanti shoqërisë civile që t`u dalin në ndihmë grave të prekura nga ky fenomen jashtëzakonisht i shëmtuar, që për fat të keq ekziston edh3e në shoqërinë tonë.
“Ne themi se dhuna, çfarëdo lloji qoftë ajo, është krim dhe si e tillë është e papranueshme dhe e dënueshme për shoqërinë tonë”, ka thënë Musliu.
Ajo tha se beson që mesazhi kundër dhunës është shpërndarë dhe zëri i grave është dëgjuar, ndërkohë që ka apeluar te gratë që të luftojnë për të drejtat e tyre.
Pjesë e fushatës ka qenë edhe konkursi për esenë më të mirë kundër dhunës ndaj gruas, ku janë ftuar të rinjtë re moshës 14-21 vjeçe që të paraqiten me punimet e tyre.
Venera Rama, përfaqësuese e Ambasadës Holandeze, tha se ambasadori Robert Bosh njihet si avokat i madh të drejtave të gjinore dhe me kënaqësi kanë përkrahur projektin e shoqatës “Psikoterapeutët në Veprim”
“Është fakt që dhuna në Kosovë ekziston dhe e keqja më e madhe është se në të shumtën e rasteve ajo heshtet”, ka thënë Rama.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, luftëtare e madhe e të drejtave të grave në Gjilan, e cila i ka dhënë mbështetje kësaj fushate, ka thënë se familja është bazamenti i barazisë gjinore dhe aty duhet të fillojë respektimi i të drejtave djalit dhe vajzës, gruas dhe burrit.
Duke inkurajuar shoqërinë civile që të vazhdojë me aktivitete të tilla, ajo ka thënë se do të punojmë shumë për të vetëdijesuar gruan, që ajo të jetë e barabartë me burrat dhe ka kërkuar që debate të tilla të organizohen edhe me të moshuar, për t`i dëgjuar edhe vërejtjet e tyre. “Dhuna nuk i sjellë të mira askujt dhe kjo duhet të kuptohet nga të dyja gjinitë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Nebojsha Simiq nga “Qendra për depolitizimin e shoqërisë” në Kamenicë, ka thënë se të drejtat e njeriut vlejnë për të dyja gjinitë dhe se ato nuk janë pronë as e burrit dhe as e gruas.
Organizatori ka shpërblyer tri esetë më të mira të nxënësve Eda Shehu e Englanë Zubaku nga Gjilani si dhe Malina Simiq nga Kamenica, të cilët kanë fituar nga 300, 200 dhe 100 euro. /2L ONLINE/