Dhjetë shkolla të Komunës së Gjilanit janë pajisur sot me tabelë të mençura të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë inovativ të integruar në mesimdhënie dhe mësimnxënie sipas standardeve të shekullit 21.
Drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, ka thënë se me furnizimin e tabelave të mençura, Gjilani po i përgjigjet me ritëm të shpejtë zhvillimeve dhe ndryshimeve në qasjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke shfrytëzuar avantazhet e teknologjisë së informatikës si kusht themelor i procesit të reformës kurrikulare.
“Përmes tabelave te mençura nxënësit dhe mësimdhënësit do t’i përmbushin nevojat për të nxënit interaktiv, trajtim gjithëpërfshirës të temave, punë të pavarur, dominimi i punës individuale dhe grupore e kontroll i drejtpërdrejtë”, ka deklaruar Gagica.
Vlen të theksohet se nesër do të filloj të përmbushet premtimi i kreut të Komunës, Lutfi Haziri, për shujtat për nxënësit, ku pilot projekti do të nis së zbatuari me nxënësit e shkollës fillore në Verbicë të Zhegocit.