(2LONLINE) – Riad Rashiti, Anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së vlerëson se Koalicioni qeverisës LDK-AAK në Gjilan po vazhdon me dështime të njëpasnjëshme, deri më sot asnjë projekt të vetëm nuk e kanë nisur edhe pse deklaratat bombastike asnjëherë nuk kanë munguar nga drejtorët komunal dhe nënkryetari i komunës, ndërsa njëkohësisht kryetari i komunës vazhdimisht merrej me vizita turistike dhe sfilata.
Rashiti thotë se dështimi i organizimit të Konferencës së Donatorëve për Gjilanin i cili ka qenë i planifikuar të mbahet në fund të prillit, është një tregues i pamohueshëm se kjo qeverisje lokale do të përfundojë e dështuar ashtu siç edhe e ka filluar mandatin e saj, por edhe është pritur nga të gjithë ata, që e njohin dhe e kujtojnë mirë qeverisjen e dështuar të LDK-së në Gjilan deri në vitin 2007.
AI thotë se në këtë konferencë, komuna e Gjilanit ishte “përgatitur”me katër projekte lokale (tri projekte kanë qenë të gatshme) dhe 20 projekte tjera të karakterit regjional, ku disa nga projektet ishin rruga magjistrale Gjilan-Prishtinë (hyrja me katër korsi), parku industrial, ndërtesa e Administratës Komunale dhe rregullimi i shtratit të lumit “Stanishorka”, e që do të thotë se edhe këto projekte do të mbesin të dështuara bashkë me konferencën e dështuar.
‘Ky dështim nuk është asgjë tjetër,përpos një jo seriozitet i radhës në punë, mos angazhim i duhur dhe i mjaftueshëm i institucioneve komunale, mungesë e bashkëpunimit dhe humbje e besimit te investitorët dhe donatorët, e të cilët Gjilani i kishte të shumtë viteve të fundit dhe ishte komuna e parë në Kosovë si përfituese e shumë projekteve të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit ,sepse qasja e qeverisjes së kaluar ishte krejtësisht tjetër. Këtë nuk e themi tani pse ne jemi në opozitë, por këtë sot po e thonë vetë donatorët dhe investitorët e paktë që kanë mbetur në komunë deri në finalizimin e projekteve të nisura më herët”, thotë Rashiti.
Sipas tij, po ashtu kjo qeverisje lokale ka dështuar edhe në vazhdimin e procedurave për projektet infrastrukturore të cilat ishin në fazën e fillimit të investimeve dhe për të cilat ishin të siguruara mjetet financiare nga sektori privat. Si projekti i ndërtimit të infrastrukturës së kompleksit të shkollave të mesme në vlerë rreth një milion euro, ku me së paku edhe 20 vende të reja të punësimit do të krijoheshin, ky projekt është miratuar dhe aprovuar nga Kuvendi Komunal në mandatin e kaluar dhe nga Ministria e Financave, po ashtu janë shpallur dhe zhvilluar të gjitha procedurat deri në momentin e nënshkrimit të kontratës. Sipas Rashitit asnjë arsye të vetme nuk ka mundur dhe nuk mund të gjejë kjo qeverisje për ndërprerjen e këtij projekti shumë të rëndësishëm për mijëra nxënës të shkollave të mesme.
“Ndërprerja tjetër është ajo e procedurave për projektimin dhe krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale në Novobërdë, e cila tani është bërë pengesë për hulumtimin e donatorëve për të financuar ndërtimin e infrastrukturës së kësaj zone ekonomike, për të krijuar ambient dhe kushte të përshtatshëm për të ftuar dhe sjellur investitorë dhe kompani të huaja, të cilat do të krijonin vende të reja punësimi dhe ndikim në zhvillimin ekonomik. Ndërsa vitin e kaluar është bërë studimi i fizibilitetit të cilin e ka financuar Republika e Çekisë dhe e ka realizuar kompania çeke, e cila ka dhënë përgjigje pozitive për krijimin e kësaj zone të rëndësishme për rajonin e Gjilanit, por edhe të Kosovës në përgjithësi” thotë Rashiti i PDK-së.
Ai shton tutje se dështimet tjera të kësaj qeverisje lokale janë edhe ndërprerja e projektit të PPP për transportin urban, ndërprerja e ndërtimit të tregjeve të qytetit të Gjilanit, ndërprerja e procedurave të ankandit publik për shitjen e hapësirave publike të krijuara përmes PPP në ndërtimet kolektive, vlera e të cilave do të krijonte të hyra vetanake në buxhetin e komunës në për këtë vit në shumën prej rreth 1.3-1.5 milion euro.
“Realizimi i projektit të lumit Mirusha nuk ka lëvizur asnjë metër nga qendra e qytetit, përpos gypit të kanalizimit i cili ka vazhduar vetëm në njërën anë të lumit dhe janë implementuar rreth 300 metra gjatësi, që po i bie se po punohet më pak se tri metra për një ditë. Edhe kjo është si pasojë e ndërhyrjes së komunës në projektimin e këtij projekti, e të cilin vet LDK-ja e kishte bërë kur ishte në qeverisje komunale deri në vitin 2007” thotë Rashiti.
Rashiti që dikur ishte drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ku subjekti i tij ishte në pushtet, ka thënë tutje se përfundimisht komuna ka hyrë në rrugë të gabueshme qeverisëse dhe shumë të dëmshme për qytetarët e Gjilanit dhe për perspektivën e tyre. Sepse me këtë lloj qeverisje lokale nuk pritet gjë tjetër përpos mos gatishmëri për punë të mira, mosbashkëpunim të duhur, humbjen e besimit te donatorët dhe investitorët privat, dështim në investimet publike dhe në fund zhgënjim për qytetarët e saj.
“Një qeverisje lokale normale, nuk do të vinte në këtë gjendje po të kishte vërtet një program të saj qeverisës dhe po ai program të paraqitej para qytetarëve por edhe në Kuvendin Komunal, e që asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur edhe pse kjo është kërkuar nga opozita në Kuvend. Gjilani ka filluar të ecë mbrapa dhe ka humbur rrugën e saj të zhvillimit dhe perspektivës, e cila me shumë angazhim dhe mundi ishte ndërtuar për vite të tëra nga qeverisja e kaluar me një bashkëpunim dhe mbështetje të jashtëzakonshëm nga donatorët dhe investitorët e jashtëm por edhe nga mekanizmat tjerë ndërkombëtar”, ka thënë në fund, Riad Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2lonline/