(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka mbajtur sot takim me Komisionin ad hoc për Çështje Sociale dhe Banim, ku është diskutuar rreth implementimit të iniciativës së Komunës së Gjilanit për ndihmë familjeve në nevojë.
Komisioni Komunal i ka raportuar kryetarit Haziri për punën e deritanishme, duke thënë se shtëpia parë e nisur para dy javësh e z. Zijadin Marovca, me financim të mërgimtarit gjilanas që jeton në Zvicër Ruzhdi Bunjakut, tashmë është përfunduar.
Në takim është marrë vendim edhe për fillimin e ndërtimit të dy shtëpive të tjera dhe renovimin 20 shtëpive sipas kërkesave të qytetarëve, derisa më pas do të nis edhe ndërtimi i shtatë shtëpive tjera.
Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar qytetarët për ndihmën e dhënë deri tani në Fondin humanitar të Komunës së Gjilanit, duke bërë apel edhe tek të tjerët që premtimet e tyre t’i bëjnë realitet.
Me iniciativën e kryetarit Lutfi Haziri, Komuna e Gjilanit ka organizuar më 25 tetor 2014 mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, ku janë premtuar shtëpi e para të gatshme nga njerëzit e vullnetit të mirë nga Gjilani, Kosova dhe mbarë diaspora shqiptare.
Deri sot, në fondin e Komunës janë deponuar nga njerëzit e vullnetit të mirë mbi 70 mijë euro dhe mbi 15 mijë franga zvicerane. /2L ONLINE/