/2L ONLINE/ – Arrestimi i Drejtorit të Polcisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi nga policia kufitare e Serbisë të merkurën me 28 shtator 2016, të rikujton arrestimin e policëve Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri, më 25 shkurt 2012 në territorin Kosovës nga pjestarët e MUP-it serb,…pashmangshëm na kujtohen skenat e tmerrshme të trajtimit jonjërzor dhe tallja poshtëruese e xhandarmërisë serbe me policët e Kosovës.
Për ironi të faktit i gjithë poshtërimi që ju bë policëve të Kosovës, përfundoj me konstatimet verbale të zyrtarëve të lartë shtetëror, po citoj; “Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës,…kërkohet që Serbia të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të respektojë ligjet e normat ndërkombëtare për kufijtë ndërshtetëror dhe ndërkombëtar”.
Arrestimi i fundit i Drejtorit të Polcisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi nga policia kufitare e Serbisë edhe një herë e nxjerrë në sipërfaqe pafuqinë institucionale dhe shtetërore .
Pos arrestimit të policëve kosovar nga autoritetet serbe, me kërkesën e këtyre të fundit, më parë kishin ndodhur edhe arrestime të liderëve shtetëror dhe partiak nga autoritetet ndërkombëtare si në Bullgari, Hungari, Austri e disa vende të tjera ku, me kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit u ndaluan edhe bartësit më të lartë institucional sikur ishin Hashim Thaçi, Agim Çeku dhe Ramush Haradinaj të cilët , pas ndërhyrjes ndërkombëtare u liruan.
Në vazhdën e këtyre arrestimeve, të merkurën me 28 shtator 2016, rreth orës 20.00 në bazë të një fletarresti të Gjykatës së Nishit, në vendkalimin kufitar me Serbinë , të “Dheu i Bardhë” , u arrestua drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës , Nehat Thaçi i cili dyshohet nga autoritetet serbe për veprën penale të terrorizmit e që ndërlidhet me zhvillimet e vitit 1999 në komunën e Lypjanit, i cili po mbahet në paraburgim nën “akuzën për “terrorizëm”!
Vlenë për t’u theksuar se Nehat Thaçi ishte ushtar i UÇK-së dhe veteran i luftës çlirimtare.
Edhe pse Nehat Thaçi u arrestua si person privat, shkaku se ishte nisur për vizitë drejt shteteve perëndimore dhe se nuk ishte në cilësinë e udhëtimit zyrtar, nuk e zvogëlon aspak poshtërimin që Serbia i bënë Kosovës duke ia arrestuar zyrtarët e lartë sikur të ishin hajna ordinerë apo kontrabandues narkotikësh.
Me arrestime të tilla kriminale Serbia është duke përfituar politikisht, kurse institucionet kosovare i ka vënë në defansivë të plotë politike, duke i shndërruar në nënshtrues dhe lypës që kërkojnë mëshirë nga BE-ja, SHBA-të, Eulex-i dhe Serbia për një çështje që është dashur të zgjidhet shumë më herët, siç janë heqja e listatave të fshehta për arrestim të zyrtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Serbia në këtë mënyrë po synonë amnistimin e plotë të strukturave të saj kriminale që kanë kryer krime gjenocidale në Kosovë , duke arrestuar zyrtarë të Kosovës, si barazpeshim me krimet e supozuara individuale.
Këtë e vërteton edhe deklarata e autoriteteve shtetërore serbe; Nehat Thaçi nga Ferizaji është arrestuar mbi bazat e “fletarrestit të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale terrorizëm”.
Çdo shtet normal , në këtë rast do të përgjigjej me reciprocitet dhe kjo është vërejtja për institucionet e Kosovës, në veqanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme, që po tregohet aq tolerantë ndaj një neoçetniku siç është Marko Gjuriq që në një mënyrë është kryeministër i serbëve të Kosovës dhe ministrave shovinistë të qeverisë Mustafa-Thaçi-Veseli.
Mbase arrestimi i Nehat Thaçit nuk do të jetë arrestimi i fundit, andaj pashmangshëm lind pyetja: deri kur do të durojmë poshtërimin shtetëror dhe kombëtar dhe do të lejojmë këtë poshtrim të arrestimeve të zyrtarëve dhe qytetarëve të Kosovës sikur edhe deri kur do t’i durojmë eskursionet çetnike dhe shoviniste të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë dhe ministrave të Serbisë , në qeverinë e Kosovës ?!
Është momenti i fundit që Serbia të kushtëzohet me ndërprerje të dialogut në këmbim të lirimit të Drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi,…në të kundërtën duhet zbatuar të njëjtën masë reciprociteti ndaj neoçetnikut Marko Gjuriq, i cili sa herë i teket hynë e delë nga Kosova i pa “vrejtur” nga autoritetet kufitare kosovare.
Në rrethanat, kur qytetarët e Kosovës arrestohen dhe nuk ndjehen të sigurtë gjatë udhëtimit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa ata serb shetisin të lirë në gjithë territorin e Kosovës,…këtu jo vetëm që nuk bëhet fjalë për reciprocitet, por edhe dialogut serbo-shqiptar në Bruksel i humbet kuptimi.
Heshtja qyqare e liderëve shtetëror dhe ministrit të Punëve të Brendshme ndaj arrestimit të Drejtorit të Polcisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, shpërfaq dorëzimin e tyre para politikës hegjemoniste të Beogradit dhe degradimin e skajshëm të institucioneve shtetërore.
Ka apo s’ka Kosova përfaqësi diplomatike (“Ambasadë”) në Beograd, për të cilën ishte bërë zhurmë aq e madhe me rastin e emërimit dhe largimit të mënjëhershëm të Lulzim Pecit nga “zyra diplomatike” në Beograd!
Liderëve shtetëror që u mungon forca e veprimit dhe mbrojtjes së qytetarëve të vet edhe jasht territorit të vendit, nuk e meritojnë të jenë krye të qeverisjes,…do të ishte në nderin e tyre ngritja e “flamurit të bardhë” para qytetarëve të vendit dhe lëshimin rrugë, për ardhjen në krye të vendit e njerëzve të guximshëm dhe të përgjegjshëm, që janë të zotët të ngritin zërin pa hezitim ndaj rasteve të tilla si në Vjenë, Bruksel, Berlin, New York e pse jo edhe në Beograd.
Përfundimisht shtrohet pyetja për të gjithë qytetarët e vendit; Deri kur do të vazhdoj poshtërimi dhe degradimi institucional i vendit tonë? /2L ONLINE/