Derbi më i madh kosovar, ai lokal i klubeve gjilaanse, SC Gjilani dhe FC Drita, ka përfunduar pa fitues, pasi skuadrat kanë barazuar 1 me 1. Ndërkohë që në ndeshjen tjetër, Llapi si mysafirë ka deklasuar Ballkanin me rezultat 4 me 1.
Ishin këto dy takimet e fundit me të cilat përmbyllet java e 16-të e “Albi Mall” Superligës së Kosovës në futboll.
Kur jemi te derbi gjilanas, ishte skuadra e Gjilanit ajo që kaloi e para në epërsi, me golin e Zabërgjës në minutën e 67-të të takimit, për t’u barazuar rezultati në minutë ne 83-të me golin e shënuar nga Ajzeraj.
Ndonëse Gjilani u përpoq ta ruaj këtë epërsi edhe me ndërrime që u bënë nga trajneri Ramadani, ajo nuk ia doli, megjithatë mund të thuhet se një pikë e fituar është e mirëseardhur për klubin, ndërkohë që skuadra e Dritës lëshoi një rast tejet të mirë, humbjen e Ballkanit, për ta thelluar akoma avantazhin në pikë ndaj kësaj skuadre, rivale e drejtpërdrejt për kampion, pasi ajo e ndjek pas si e dyta por rikujtojmë se ka tri lojë më pak të zhvilluara se Drita.
Sidoqoftë, FC Drita vazhdon të jetë liderë në tabelë me 32 pikë nga këto 16-të javë, ndërkohë që ndiqet nga Ballkani që ka 5 pikë më pak, por edhe tri ndeshje të pazhvilluara.
Ndërkohë, SC Gjilani që ka problemet e saj si klub, me këtë pikë të fituar shkon në kuotën e 24 pikëve, të grumbulluara nga këto 16 javë dhe mbanë pozitën e tretë, duke e lënë një pozitë më poshtë Prishtinën, pasi ajo ka 1 pikë më pak se Gjilani, por edhe një ndeshje të pazhvilluar. /2LONLINE/