Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar sulmin fizik ndaj kolegut Parim Olluri, i ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurë.
AGK-ja kërkon nga organet e sigurisë që të zbulojnë këtë rast në afat optimal pasi që sulme të tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe medies.
“AGK i uron shërim të shpejt kolegut Olluri si dhe bashkëshortes së tij, të cilët kanë pësuar lëndime trupore gjatë sulmit. Kolegu Olluri dhe bashkëshortja e tij janë trajtuar në QKUK. AGK-ja do të përcjell me vëmendje këtë rast duke kërkuar efikasitet nga organet e drejtësisë”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, k reaguar përmes një postimi në facebook për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, duke shkruar se gazetarët nuk duhet të dekurajohen nga sulme të tilla dhe me vendosmëri duhet të vazhdojnë rolin e tyre në shoqëri.
Sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë.
Parimit dhe bashkëshortes së tij u uroj shërim të shpejtë, derisa nga organet kompetente kërkoj veprime të vendosura dhe të shpejta, në mënyrë që sulmuesit të dalin para drejtësisë.
Gazetarët nuk duhet të dekurajohen nga akte të tilla kriminale.
Përkundrazi!
Ata duhet të vazhdojnë, me një vendosmëri të pathyeshme, rolin e tyre të pazëvendësueshëm në një shoqëri demoktratike. HTH
Edhe Kryeministri në detyrë i vendit, Isa Mustafa, perms një postimi në profilin e tij në facebook, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri.
Është shumë shqetësues lajmi për sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj Kryeredaktorit të Insajderit, Parim Olluri. Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme. Besoj shumë në efikasitetin e organeve shtetërore për të sjellë para drejtësisë akterët e dhunës. IM