Ka pasur reagime të shumta nga shumë akterë të cilët e kanë dënuar ashpër rastin e dhunës së rëndë fizike që ka ndodhur në një nga shtëpitë e të moshuarve në Pejë.
Një reagim vjen edhe aktivistja e shoqërisë civile, Medianë Bislimi, e cila ka thënë se para se të kemi përgjegjësi ligjore ndaj institucionit dhe ushtrimit të detyrës duhet të kemi ndërgjegje dhe bashkëndjeshmëri me tjetrin.
“Në rastin e ushtrimit të dhunës fizike ndaj të moshuarës, lëre që nuk pamë as ndërgjegje, as përgjegjësi por pamë skizofreni të punonjësve institucional”, ka thënë ajo.
Bislimi që është edhe në krye të ’’Qendrës për Bashkëpunim dhe Rrjetëzim të Organizatave’’, ka thënë se ky vend, sinqerisht, ka nevojë që të merret me burimin e dhunshmërisë në nivel kolektiv dhe të dimë se pse jemi kaq të dhunshëm.
“Tjetra, institucionet e mbikëqyrjes dhe inspektoratet përkatëse të vihen në lëvizje dhe kontrolle të forta sepse po ia lamë gjërat ndërgjegjes së këtyre njerëzve vaj halli për neve. Urgjentisht dënime të merituara për punonjëset dhe gjithë zinxhirin komandues të institucionit përkatës duke filluar nga drejtori”, ka thënë Bislimi. /2LONLINE/