Nëntëmbëdhjetë vite pas luftës dhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova përballet me mungesë të demokracisë së mirëfilltë në sistemin partiak të saj.
Sgkruan: Xhevat Bekteshi
Ndërkohë që baza juridike lidhur me krijimin dhe funksionimin e partive politike të Kosovës është në përputhje me praktikat më të mira të kohës, ekzistojnë shpërpushje serioze sa i përket dinamikave brendapartiake dhe nevojave të mirëfillta të shoqërisë.
Problemi kryesor qëndron në atë që mekanizmat për garantimin e respektimit të legjislacionit lidhur me funksionimin e partive politike nuk janë të fuqizuara deri në atë masë sa të jenë në gjendje t’i mbikëqyrin në mënyrë të efektshme veprimet dhe veprimtaritë e partive politike, dhe t’i sanksionojnë ato kur bëjnë shkelje të ligjeve.
Kjo është ajo që mundëson zhvillimin e praktikave jodemokratike brenda partive politike kosovare. Fakti që skena politike e Kosovës është e tillë që ardhja në pushtet e partive të reja është tejet e vështirë pa lidhjen e koalicioneve me partitë më të vjetra, e vështirëson tej mase ndryshimin për të mirë të gjendjes ekzistuese– nevoja e partive të reja për të lidhur koalicione me të vjetrat, bën që partitë e reja të jenë të detyruara “t’i respektojnë rregullat e lojës,” që i kemi tani për tani.
Po ashtu, një nga faktorët e tjerë të shumtë të analizuar është edhe ai që anëtarë të caktuar të partive politike kanë kontrollimin e plotë të fuqisë së partisë: lideri partiak dhe njerëzit rreth tij kanë më tepër fuqi se që ju takon me statut, dhe këta mjaft shpesh marrin vendime duke i anashkaluar të gjitha organet e partisë së tyre dhe konkluzionet që dalin nga dokumentet bazë të partisë.
Është e qartë që vendimmarrja joformale është një pengesë tejet e zymtë për demokratizimin e partive politike. Njëri nga problemet më të zymta të Kosovës sa i përket fushatave parazgjedhore të partive politike është ai që partitë në pushtet këtë e shfrytëzojnë për promovimin e tyre gjatë fushatës.
Kësisoj, në zgjedhjet e fundit (qershor 2014), që nga fillimi i vitit e deri në disa ditë para zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës ndërmori mbi njëzet vendime që targetonin kategori të ndryshme të popullsisë me qëllim të marrjes së votave të tyre për partinë në pushtet.
Kjo jo vetëm që pati implikime të mëdha dhe të dëmshme për buxhetin e shtetit, por edhe e dëmtoi jashtëzakonisht shumë garën e drejtë zgjedhore midis partisë në pushtet dhe subjekteve të tjera politike të Kosovës.
Mekanizmat që garantojnë respektimin e legjislacionit për funksionimin e partive politike nuk janë fuqizuar asnjëherë aq sa të jenë në gjendje ta monitorojë me efikasitet veprimtarinë e partive politike dhe t’i sanksionojnë partitë kur ato shkelin legjislacionin në fuqi, dhe kjo rrjedhimisht ka shpërfaqur edhe praktikat jodemokratike brenda partive politike dhe si pasojë kemi në vazhdimësi të degradimit të kuadrit politikë dhe proceseve politike të cilat jo pak kanë bërë që të kemi pasoja në rezultatet politike qofshin ato të brendshme apo edhe të jashtme .
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, si mekanizëm kontrollues dhe sanksionues që vepron në kuadër të KQZ-së,mendoj se ka dështuar ta luaj rolin që duhet të ketë. Kjo ka ndikuar negativisht edhe te partitë politike pasi ato nuk janë ndjerë të obliguara t’u përmbahen kërkesave ligjore për funksionimin e partive.
Ndër prioritetet e reformave politike në Kosovë do të duhej të ishte fuqizimi i Zyrës për Regjistrim të Partive politike që ka mungesë kapaciteti, si dhe mungesë personeli e integriteti që do t’i shërbente për kryerjen e detyrave të parashtruara nga ligji, gjë kjo që do t’i mundësonte t’i sanksionojë partitë politike deri te ndalimi i pjesëmarrjes në zgjedhje.
Gjithashtu, integriteti profesional i Zyrës në fjalë, që nuk do ta lejonte zmbrapsjen para presioneve të politikës, dhe që do t’i mundësonte informimin e rregullt të opinionit publik, do ta luante një rol thelbësor në avancimin e demokracisë brendapartiake në Kosovë dhe nje rol shumë të dobishëm në procesin dhe zgjedhjet e përgjithëshme dhe lokale ne vendin tonë.