Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar edhe nga zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneralmajor Enver Cikaqi, morën pjesë në ngjarjen e organizuar me këtë rast, nga Qendra Koordinuese e Deminimit, në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku specialistët e FSK-së janë duke realizuar operacionin e tyre të deminimit humanitar.
Në këtë ditë të veçantë për specialistët e deminimit dhe asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera, Ministri Mehaj ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal.
“Specialistët e deminimit, vërtetë janë heronjtë tanë sepse, pandërprerë, edhe 23 vjet pas lufte, ata janë ende në vijën e parë, përballë minave dhe mjeteve tjera të pashpërthyera, që ne të tjerët të jemi të mbrojtur dhe të sigurtë.” tha në fjalën e tij me këtë rast.
Gjithashtu, Ministri Mehaj theksoi se ”Deminerët e FSK-së, KFOR-it dhe organizatave tjera janë profesionalë, vigjilentë dhe të guximshëm dhe ajo që i bënë të veçantë është se, me misionin e tyre fisnik e lartësojnë uniformën ushtarake, si dhe e konfirmojnë betimin se mbi të gjitha është: Detyra, Nderi dhe Atdheu”.
Deminerët e FSK-së për 21 vjet kanë detektuar dhe shkatërruar mbi 100 mijë mina e mjete tjera të rrezikshme, kanë pastruar mbi 60 milionë m2 terren të afektuar nga minat në afro 4500 pika të rrezikshme.
Me ligjëratat e realizuara në shkollat e Kosovës për vetëdijesim të fëmijëve ndaj minave dhe mjeteve piroteknike, Kompania e Deminimit ka arritur që të edukojë rreth 50 mijë nxënës në afro 1000 shkolla.
Më tej Ministri Mehaj deminerëve ju ka shprehur urime në këtë datë të veçantë, duke i inkurajuar që të vazhdojnë me misionin e shenjtë me suksese të përhershme duke I siguruar se do të kenë gjithmonë mbështetjen e plotë për secilën çështje me interes për mirëqenien e tyre si dhe realizimin sa më të mirë të misionit të shenjtë. /2LONLINE/