Atë që e ka pushtetin, mos e gjyko nga ajo që thotë, por nga ajo se si e përdor pushtetin.
/Monteskie/
/2L ONLINBE/ – Keqinterpretimi i deklaratave dhe dokumenteve , është përpjekje për falsifikim, kurse presioni i hapur i zyrtarëve të lart, të involvuar në këtë marrëveshje, mbi deputetët është imponim. Falsifikimi është i dënueshëm, kurse imponimi nuk është zgjidhje por thellim i krizës. Deputetët duhet t’i demaskojnë falsifikatorët dhe të mos i nënshtrohen imponimeve, në të kundërtën do të bëhen përgjegjës për pasojat që do t’i pësoj vendi.
As z. Biden, as ambasadorët nuk kanë kërkuar që t’i falet tokë Mali të Zi, as të formojmë asociacione antikushtetuese dhe as të negociojmë me Serbinë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Kryeministri, Presidenti, Komisioni Shtetëror dhe përkrahësit e tyre, faljen e 8200 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi, që po përpiqen ta bëjnë realitet, për t’i ikur përgjegjësisë për lëshimet e tyre serioze gjatë procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, po mundohen ta arsyetojnë me kinse kërkesën e disa ndërkombëtarëve. Ata po thirren edhe në disa dokumente që sipas tyre e kanë përcaktuar kufirin para se të fillojë punën ky Komision.
Në të vërtet, thirrjet në dokumentet dhe deklaratat e lartpërmendura janë të pa baza, për arsye se, as deklaratat si dhe as dokumentet nuk përcaktojnë kufij, e as nuk e kërkojnë faljen e tokës.
Ja çka thonë dokumentet e para Luftës së dytë Botërore, Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974, Komisioni i Badinterit dhe Pakoja e Ahtisarit në të cilat po thirren Presidenti, Kryeministri dhe Komisioni Shtetëror:
Dokumentacioni para vitit 1945
– Mbështetja në hartat e viteve 1931, 1932, 1940 etj., nuk ndihmon në trajtimin e çështjes së demarkacionit për arsye se Jugosllavia nga viti 1929 e deri më 1941, ishte e ndarë në banovina (njësi administrativo-territoriale). … Sipas kësaj ndarjeje, territori i Kosovës ishte copëtuar midis banovinës së Vardarit, banovinës së Zetës dhe banovinës së Moravës. Gjatë asaj kohe Kosova nuk figuronte si subjekt i veçantë. Këto harta nuk mund të përdoren për caktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, sepse në kohën kur janë punuar këto harta, as Kosova e as Mali i Zi, nuk kanë ekzistuar si njësi të veçanta administrative – territoriale.
Kushtetuta e vitit 1974:
“Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 vetëm përcaktonte se territori i republikave dhe i krahinave që e përbënin atë, është i përkufizuar me kufij që nuk kanë mundur të ndryshohen pa pëlqimin e Republikës ose të Krahinës Autonome (neni 5, par. 2 dhe 4). Kushtetuta përdorte fjalën “kufij” për vijat që ndanin njësitë konstituive të Federatës, dhe nuk bënte dallim midis Republikave dhe Krahinave”.
– “Kushtetuta e vitit 1974 thotë se Kosova i ka kufijtë e vet … dhe nuk mund të ndryshohen pa pëlqimin e Parlamentit të Kosovës. (…) Kushtetuta Federative dhe kushtetutat e njësive federale nuk përcaktojnë ku janë kufijtë, sepse nisen nga supozimi se ata janë të njohur. Sipas kësaj, janë vijat administrative që janë vendosur menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.”
Komisioni i Badinterit
Sipas Komisionit të Badinterit, në rast të pavarësimit të republikave që e kanë përbërë Jugosllavinë, ndarja do të bëhet me kufij që kanë ekzistuar midis njësive federale, si kufij administrativë, të cilët kanë ekzistuar nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Pakoja e Ahtisarit:
Anexi VIII, neni 3.2. Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative të Maqedonisë më 23 shkurt 2001
Siç po shihet dokumentet e lartpërmendura, realisht nuk merren me përcaktimin e vijave kufitare, ato vetëm kërkojnë respektimin e kufijve ekzistues.
Deklaratat e personaliteteve – komisioneve:
– Komisioni i Presidentes Jahjaga: Pa u lëshuar në komentimin e kritereve të përdorura është deklaruar shkurt:”Në bazë të kriterit që keni përzgjedhur çdo gjë është në rregull”. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Komisioni i presidentes e ka vlerësuar si të drejtë demarkacionin në fjalë.
– Me 3 gusht, në debatin e organizuar për demarkacionin, në Kuvendin e Kosovës , Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë Delawe, përveç tjerash ka thënë se çfarëdo që ndodh me demarkacionin, SHBA-të do ta përkrahin Kosovën dhe se vota është përgjegjësi e deputetëve.
– Ambasadori i Britanisë së Madhe, O’ Conell, ka deklaruar: Demarkacioni me Malin e Zi është çështje bilaterale mes dy shteteve, prandaj Londra zyrtare nuk ka kurrfarë kërkese rreth saj për Qeverinë e Kosovës. (Koha Ditore 16. 08. 2016) .
– Nënpresidenti i SHBA-ve, JOE Biden: me rastin e vizitës në Kosovë me 17 gusht ka deklaruar: “ Këtu jam që t’ju siguroj se SHBA-të do të qëndrojnë përkrah Kosovës… . “ “Mund të ecni përpara vetëm nëse e luftoni pandëshkueshmërinë, krimin dhe korrupsionin…” Dëshiroj që ta përfundoni Marrëveshjen me Mali e Zi…. gjithashtu edhe asociacionin e Komunave serbe…”
– As z. Biden, as ambasadorët e vendeve mike nuk kanë kërkuar që t’i falet tokë Mali të Zi, as të formojmë asociacione antikushtetuese dhe as të negociojmë me Serbinë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Sipas Akademik Zejnullah Grudës:
– “Komisioni për demarkacion me Malin e Zi i ka tejkaluar kompetencat e veta. Ai në vend që të merret me punën që dalin nga mandati i tij, pra të bëjë shënimin e vijës kufitare, ky komision ka përcaktuar vijën e re kufitare, që është 5 deri 6 km në brendi të Kosovës, nga vija e përcaktuar me delimitacion të bërë pas Luftës së Dytë Botërore dhe që është në harta të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të bëra nga Instituti Ushtarako – Gjeografik i Armatës së Jugosllavisë”.
– Në botimin e vitit 2011 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me titull: KOSOVA – vështrim monografik, në faqen 23 të këtij botimi të Akademisë përveç tjerash thuhet:… “Në pjesën veri-perëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi… linja kufitare shtrihet nëpër kuotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiqevicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prehet me dy arterie rrugore automobilistike në Qafë Kullë dhe Çakor. …”
Në fund shtrohet pyetja, nëse vërtetë , çështja e kufijve të Kosovës me vendet fqinje paska qenë punë e kryer, bazuar në dokumentet e lartpërmendura, atëherë pse Qeveria e Kosovës është dashur të formojë Komision i cili ka punuar tri vite për këtë çështje?
Dhe për fund fare, askush nga ndërkombëtarët nuk ka kërkuar ndryshimin e kufirit që rezulton me humbjen e 8. 200 hektarëve të tokës së Kosovës.
Keqinterpretimi i deklaratave dhe dokumenteve , është përpjekje për falsifikim, kurse presioni i hapur i zyrtarëve të involvuar në këtë marrëveshje, mbi deputetët është imponim. Falsifikimi është i dënueshëm, kurse imponimi nuk është zgjidhje por thellim i krizës. Deputetët duhet t’i demaskojnë falsifikatorët dhe të mos i nënshtrohen imponimeve, në të kundërtën do të bëhen përgjegjës për pasojat që do t’i pësoj vendi. /2L ONLINE/