/ Një njeri që privilegjet e tij i vlerëson më shumë se parimet e tij shpejt i humb të dyjat/
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Tri vite përpjekje e parisë së Kosovës për ta shitur si të drejt marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015 në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, për konfirmimin e kufirit ekzistues dhe shëndrrimin e tij nga një kufi administrativ në mes të dy ish njësive konstituive të ish-Jugosllavisë në kufi të dy shteteve të pavarura, për të cilën ekzistojnë dokumente të pakontestueshme, këtë çështje lehtë të zgjidhshme, e kanë bërë çështje të patejkalueshme dhe problem serioz për qytetarët e vendit.
Demarkacioni është bërë problem serioz sepse, ministri i punëve të jashtme në Qeverinë Mustafa e nënshkroi marrëveshjen pa e sjell paraprakisht në Kuvend, sepse ai e kishte angazhuar një Komision Shtetëror të papërgjegjshëm, i cili nuk u angazhuar sa e si duhet për kryerjen e detyrës për të cilën ishte ngarkuar dhe ishte paguar. Komisioni që kishte për detyrë ta shënonte vijën ekzistuese të kufirit, ishte futur në çështje për të cilat nuk ishte i autorizuar, ai e bëri ndryshimin e kufirit. Komisioni lëshoj pe edhe para kërkesave të padrejta të delegacionit Malazez me të cilat nuk pajtohej fillimisht.
Qeveria Mustafa është fajtore që, pas reagimeve të shumta të ekspertëve, deputetëve dhe qytetarëve, nuk pranonte rishikimin e punës së Komisionit, por insistonte në ratifikimin e marrëveshjes. Insistimi i Kryeministrit Mustafa kishte për qëllim ruajtjen e koalicionit qeverisës, i cili ati i mundësonte karrigen e kryeministrit, pa qar kokë për territorin që po e humbte Kosova me këtë marrëveshje.
Qeveria Haradinaj, që e kundërshtonte demarkacionin sa ishte opozitë por edhe në pesë muajt e par të qeverisjes së saj, e cila madje edhe angazhoj një Komision të ri Shtetëror për verifikimin e punës së Komisionit të parë dhe pastaj raportin e komisionit Bulliqaj, i cili konstatoj parregullsi e falsifikimi të hartave të komisionit të parë, e solli bashkë me raportin e komisionit të parë në Kuvend për të cilin hapur angazhohej që të mos ratifikohet, për shkak të defekteve të mëdha që kishte. Çuditërisht këto ditë ndryshoj qëndrimin karshi kësaj çështjeje.
Derisa Qeveria Mustafa mundohej t’ia shiste qytetarëve të Kosovës marrëveshjen e dëmshme si të dobishme për vendin, Qeveria Haradinaj po mundohet që atë marrëveshje që e ka kundërshtuar mbi dy vite, tani të ambalazhuar me një deklaratë, të autorit të këti problemi shumë serioz, Presidentit Thaçi, t’ia shet popullit si arritje të rëndësishme, edhe pse kjo deklaratë as nuk prodhon efekte juridike dhe as nuk e ndryshon marrëveshjen e vitit 2015.
Në deklaratën e nënshkruar nga Thaçi – Vujanoviq përveç tjerash thuhet:” …pas ratifikimit … do të formojnë një trup të përbashkët punuese për shënimin e vijës kufitare.” Sipas deklaratës, pas ratifikimit të kufirit sipas marrëveshjes së vitit 2015, kjo trup do ta shënoj kufirin por nuk thuhet se do ta korrigjoj.
Në pikën në vijim të Deklaratës thuhet:” … Trupa e përbashkët punuese do të identifikoj dhe adresoj mosmarrëveshjet gjatë shënimit të kufirit… , por nuk thuhet se do t’i zgjidh mosmarrëveshjet.
Pse duhet të ratifikohet marrëveshja e kontestuar e vitit 2015, kur tani më janë të identifikuara mosmarrëveshjet dhe zgjidhjet janë të gatshme bazuar në dokumente, norma dhe praktika ndërkombëtare.
Këtë deklaratë të Thaçit, që ka për qëllim me ju qit hi syve qytetarëve të Kosovës, fatkeqësisht po e përkrahin edhe kundërshtarët e përbetuar të deri djeshëm, të cilët pavarësisht se cila është arsyeja e tyre për të heq dorë nga kauza e drejt, kurrë nuk do të mund ta arsyetohen para qytetarëve të këti vendi.
Që nga viti 2015 ndërhyrja e ambasadorëve ka qen e tejdukshme, por duke e pas parasysh se shkalla e presionit ndërkombëtar është në proporcion me shkallën e papërgjegjësisë së përfaqësuesve të institucioneve vendore, kurse detyrë e tyre është ruajtja e stabilitetit por jo edhe ndarja e drejtësisë, mbetet detyrë e jona që të ndikojmë në rritjen e përgjegjësisë së institucioneve vendore.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme për Kosovën sponzorizuesëve ju nevojiten edhe votat e Listës Serbe e cila zakonisht shërbimet i ka të shtrenjta, këmbimi i votës së Listës Serbe me koncesione të reja vetëm sa do t’ia rrit dëmin vendit.
Në këtë situatë kur edhe Qeveria Haradinaj, si ajo para kësaj, pushtetin e tyre i kanë vu para interesave të vendit, është në dorën e deputetëve të mos lejojnë që vendit t’i ndodh kjo e keqe e pariparueshme.