Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Greg Delawie vizitoi kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Me këtë rast gjenerali Rrahman Rama e falënderoi ambasadorin e SHBA-ve, për ndihmën e pakursyer që SHBA-të po japin për FSK-në, si dhe e njoftoi ambasadorin Delawie, me angazhimin e FSK-së, si dhe bashkëpunimin me instruktorë të Gardës Kombëtare të Ajovës-SHBA-ve, gjatë trajnimeve që po zhvillohen aktualisht në FSK.
Gjatë vizitës në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, komandant i QSU-së, majori Avni Kiqina, përmes një prezantimi e njoftoi ambasadorin Greg Delawie, me aktivitet e saj; shkollimet dhe trajnimet profesionale që përgatiten në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së.
Me këtë rast, ambasadori Delawie shprehu kënaqësinë që gjendet në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, si dhe përgëzoi stafin dhe kadetët për arritjet e përgjithshme. Ai më pas, para kadetëve të FSK-së, mbajti një ligjëratë të përgjithshme që në fokus kishte të bënte korrupsioni si një e keqe e shoqërisë në përgjithësi. Me këtë problem po merren jo vetëm shtetet në zhvillim por edhe ato të zhvilluara. Interesimi i kadetëve rreth kësaj teme ishte i madh, ku shumë nga ta i parashtruan pyetje ambasadorit Greg Delawie.