Avokati i Popullit është duke e ndjekur me shqetësim situatën lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, të cilët deri para pak ditësh ishin në grevë. Lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit rithekson rëndësinë që ka ruajtja e kohezionit social në periudhën kur sapo kemi dalë nga një situatë e vështirë për shkak të mosfillimit në kohë të vitit të ri shkollor.
Mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre, në një gjendje edhe ashtu të brishtë, e kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar.
Gjithashtu Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë.
Në këtë periudhë është e rëndësishme që qeveria, me secilin veprim dhe masë që merr, të kontribuojë në zbutjen e krizës së rëndë të krijuar si rezultat i kësaj gjendjeje. Prandaj Avokati i Popullit edhe publikisht përmes kësaj komunikate i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. /2LONLINE/