Në Ballancë e Remnik të komunës së Vitisë, janë mbajtur dëgjimet publike rreth Draft Buxhetit për vitin 2019-2021, ku pos që janë pasqyruar prioritetet komunale për investime në lokalitetet e kësaj komune, shpenzimet sipas kategorive tjera shpenzuese, gjithashtu janë marrë në shqyrtim edhe propozimet e banorëve të këtyre dy fshatrave, si prioritete për vitin 2019.
Zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, sikur edhe në takimet tjera, fillimisht ka njoftuar rreth rëndësisë së këtyre takimeve, që siq u shpreh ai, është mënyra më e mirë e transparencës së shpenzimit të parasë publike.
“Me anë të këtyre takimeve, synojmë që të jemi edhe transparent por edhe të bëjmë një ndarje sa më racionale të buxhetit komunal, respektivisht investimeve kapitale, duke i’u përshtat edhe kërkesave dhe nevojave të banorëve. Ju duhet të jeni konkret në atë çfarë kërkoni, ngase prioritetet tuaja përfshihen në përpilimin e buxhetit”, tha Aliu.
Ndërsa drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik Ibraim Rama, duke folur rreth buxhetit komunal për vitin 2019, ka njoftuar se ai kap shumën 11 mil. 345 mijë euro, ndërkaq vetëm investime kapitale janë 2 milion e 123 mijë euro.
Në pjesën e dytë të këtyre debateve, banorët kanë parashtruar pyetje dhe kanë dhënë propozimet për projektet që konsiderohen si më të nevojshëm.
Banorët e Ballancës si prioritet I kanë dhënë rregullimit të kanalizimit, si nevojë e madhe për të cilin project ka nevojë fshati, kurse janë përmendur edhe disa rrugica në fshat.
Gjithashtu, rruga “Pavarësia” e Lagjes Selimi, është cilësuar si me prioritet që ka nevojë për asfaltim, mandej rrethoja e fushës sportive etj. Ata njëherit kanë falënderuar institucionet komunale për investimet e deritanishme, e gjegjësisht diasporën e këtij fshati që po kontribuon shumë në investime për Ballancën.
U përmend si nevojë edhe ndriçimi në rrugën kryesore të fshatit por edhe rrugicave. Kurse në Remnik, banorët prioritet I kanë dhënë rregullimit të ujësjellësit, respektivisht funksionalizimit të këtij rrjeti, që sipas tyre zgjidhje kërkojn duke bërë lidhjen nga burimet e Letnicës.
Remnikasit u shprehen unik në kërkesën e tyre për ujësjellësin dhe njëzëri kërkuan që kjo çështje të zgjidhet. Ndër kërkesat tjera ishte edhe ajo e rregullimit të trotuarit dhe ndriçimit që të ketë shtrirje në tërë fshatin.