Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda dhe Dardan Sejdiu, kanë ironizuar me deklarimet e liderëve të LDK-së dhe AAK-së se, nuk bëhen marrëveshje me kushtëzime. Deda e Sejdiu kanë shkruar në profilet e tyre në Facebook se nuk ka asnjë marrëveshje pa kushte.
Madje, Deda ka vlerësuar se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa kanë vendosur të parët kushte, kur kanë kërkuar postin e kryeministrit, respektivisht të kryeparlamentarit. “Po thonë: nuk qesim kushte, por unë kryeministër. Tjetri – nuk duam kushte, por unë kryeparlamentar e mandej president. Vazhdojnë me nuk qesim kushte, por nuk ka hetim të privatizimit. Ose, nuk qesim kushte, por vazhdimin e dialogut të Thaçit e duam…”, ka shkruar Deda.
Ndërsa, Dardan Sejdiu ka ironizuar duke thënë se kushte dhe rregulla ka edhe një marrëveshje për blerjen e resiverit për televizor. “Sapo nënshkrova një marrëveshje që kishte kushtet dhe rregullat e përgjithshme të specifikuara në plotë 7 faqe në te, ishte marrëveshje për një marrës digjital (resiver) për televizor”, ka shkruar Sejdiu.