Në kuadër të projektit ”Promovimi dhe Avancimi i të Drejtave të Komunitetit Rom në Komunën e Kamenicës”, Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së Dardanapress, përkatësisht Menaxheri i Projektit, Sherafedin Vranja, ka nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Kryetarin e Komunës Kadri Rahimaj dhe Nënkryetaren për Komunitete Aleksandra Jovanovic.
Projekt Menaxheri Sherafedin Vranja, fillimisht i ka njoftuar krerët institucional të Komunës të Kamenicës lidhur me realizimin dhe implementimin e aktiviteteve të parapara në projekt duke thënë se “Qëllimin e përgjithshëm i projektit, është mbështetja e institucioneve lokale ne trajtimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetareve me theks të veçante komuniteteve, ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve te komuniteteve dhe përfshirja e tyre në procesin e ri integrimit në shoqërinë Kosovare”.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Nënkryetaren për Komunitete Aleksandra Jovanovic, janë shprehur se do t’i përmbushin të gjitha obligimet e veta që dalin nga kjo marrëveshje duke synuar një bashkëpunim edhe më të mirë me shoqërinë civile më qëllim të përfshirjes sa më të madhe të komuniteteve në jetën institucionale dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse.
Projekti ”Promovimi dhe Avancimi i të Drejtave të Komunitetit Rom në Komunën e Kamenicës”, është përkrahur nga Zyra e Kryeministrit /Zyra për Çështje të Komuniteteve. /2LONLINE/