Organizata Jo-qeveritare DardanaPress, në kuadër të projektit “Prokurimi transparent dhe efikas në Kamenicë” i cili realizohet në kuadër të projektit “GRAS – GrassRoots Action Support” është financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i implementuar nga IKS, Lens dhe FES, ka mbajtur tryezën ku ka prezantuar raportin e Monitorimit të Prokurimit Publik në Kamenicë .
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti ishte forcimi i kapaciteteve të vendimmarrësve komunal për të zhvilluar prokurim transparent dhe efikas në njërën anë, dhe në anën tjetër, ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve, për të monitoruar prokurimin publik.
Në këtë tryezë është prezantuar raporti i monitorimit të Prokurimit Publik në Kamenicë. Dardanapress në këtë raport ka pasqyruar dhe analizuar disa nga projektet e realizuara nga Komuna e Kamenicës.
Gjatë monitorimit të prokurimit publik janë përzgjedhur këto projekte për monitorim:
Tenderi 1: Ndërtimi i aneksit të objektit të shtëpisë rezidenciale, Gjatë monitorimit të këtij aktiviteti, është vlerësuar zbatimi ligjit dhe rregullave të prokurimit publik duke pasur për bazë aspektin e procesit të tenderimit, pra anës procedurale të tenderimit. Sipas planit të prokurimit për vitin fiskal 2020, vlera e kësaj kontrate ka qenë e parashikuar të jetë 20,000.00 Euro. Kohëzgjatja e kontratës sipas njoftimit për kontratë është e paraparë të jetë 60 ditë,ndërsa kriteri i dhënies së kontratës është çmimi më i ulët, dhe procedura e tenderimit ka qenë e hapur.
Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, për këtë tender kanë aplikuar gjithsejtë 6 (gjashtë) operatorë ekonomik dhe vlera apo çmimi më i ulët i ofertuar për këtë tender ka qenë16,991.37 Euro, i ofruar nga ndërmarrja NTP “Detari” nga Podujeva, ndërsa çmimi më i lartë i ofruar për këtë tender ka qenë 19,282.20 Euro. Si përfundim, në këtë aktivitet të monitorimit nuk është identifikuar ndonjë shkelje procedurale në procedurat e prokurimit dhe që brenda afatit të paracaktuar pritet që të përfundohen të gjitha punimet në terren dhe të bëhet pranimi teknik.
Tenderi 2:Furnizmi me lëndë djegëse-dru për institucionet e Komunës së Kamenicës, Komuna e Kamenicës si autoritet kontraktues me datë 22.10.2020 ka lidhur kontratë për ‘Furnizim me lëndë djegëse’ (dru) për institucionet e komunës së Kamenicës, kontratë e cila është lidhur në dy pjesë (LOTE). Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, për LOT 1 kanë aplikuar gjithsej 4 (katër)operatorë ekonomik ndërsa për LOT2 kanë aplikuar 3 (tre). Fitues i kontratës për Lot 1 (Furnizim me dru për ngrohje për institucionet arsimore) është shpallur kompania ‘Pylla’ me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 77,490.00 Euro. Ndërsa për Lot 2 (Furnizim me dru për QKMF dhe institucionet tjera) është shpërblyer me kontratë kompania ‘RimiB’ në vlerë të përgjithshme të kontratës prej 25,826.00 Euro. Tenderi ishte zhvilluar përmes procedurës së hapur, sipas kriterit të dhënies si çmimi më i ulët. Me rastin e lidhjes së kontratës, DardanaPress ka gjetur se çmimi i kësaj kontrate duke i përfshirë të dy Lotet është më i lartë se çmimi i tregut në komunën e Kamenicës dhe më gjerë. Për kontratën furnizuese LOT 1 është kërkuar 1,722.00 metër hapësinor dru ahu për djegie me prerje, ndërsa çmimi për metër i kontraktuar është 45.00 Euro.
Në Kontratën për LOT2, për 300m/hapësinor dru qarri apo bungu për djegie pa prerje komuna ka kontraktuar çmimin prej 42.80 euro; dru bungu apo qarri për djegie me prerje në sasi prej 180 m/hapësinor në çmim prej 44.80 euro dhe dru ahu për djegie me prerje në sasi prej 15 m/hapësinor në çmim prej 42.80 euro. Ky çmim vlerësohet si çmim i lartë dhe nuk përkon me realitetin apo çmimin e tregut aktual.
Tenderi 3:Renovimi i Shkollave , Komuna e Kamenicës si autoritet kontraktues me date 07.10.2020 lidh kontratë për tenderin mbi renovimin e tri shkollave në fshatrat e Rogaqicës, Karaqevës dhe Topanicës, me grupin e operatoreve ekonomik “Rimi Eng & ENGROUP”, në vlerë prej 53,850.50 Euro.
Procedura e tenderimit për këtë kontratë ka qenë e hapur dhe për këtë tender kane aplikuar gjithsej tre operatore ekonomik, ku dy nga ta nuk kanë qenë të suksesshëm për shkak se oferta e tyre ka nuk ka rezultuar të jetë ofertë me çmimin më të ulët.
DardanaPress, ka gjetur se komuna nuk i është përmbajtur vlerës së parashikuar të kontratës, pasi që ka lidhur kontratë më të shtrenjtë se vlera e parashikuar në planifikimin e prokurimit. Vlera e parashikuar për këtë kontratë në planin prokurimit për vitin 2020 ka qenë 50,000.00 Euro, ndërsa në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit , vlera e parashikuar e kontratës është 60,000.00 Euro, si dhe çmimi i lidhjes se kontratës është më i lartë se që është planifikuar.
Tenderi 4: Furnizimi me dollap për Shkolla, Autoriteti kontraktues më datë 19.10.2020 ka shpallur tenderin për furnizim me dollapë për shkolla të komunës së Kamenicës. Më 29.10.2020 është bërë hapja e tenderëve ku gjithsej kanë qenë pesë (5) tenderues.Tenderi është zhvilluar sipas procedurës së hapur, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte 50.000 Euro. Më 05.11.2020 autoriteti kontraktues njofton se shpërblen me kontratë operatorin ekonomik “A.R.F” në vlerë prej 35,731.50 Euro . Ky operatorë ekonomik kishte ofruar ofertën më të lirë nga gjithsej pesë (5) ofertues. DardanaPress ka gjetur se ky aktivitet i prokurimit edhe pse sipas indikatorëve të rregullsisë së zhvillimit të procedurave nuk kishte asnjë vërejtje, megjithatë ky aktivitet nuk ka qenë i planifikuar fare në planifikimin përfundimtarë të prokurimit për vitin 2020. Në këtë kuptim, komuna nuk ka vepruar në harmoni me Ligjin për Prokurim Publik, pasi nuk ka bërë një planifikim efikas dhe sipas nevojave të prokurimit.
Me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të praktikave më të mirë në prokurim publik, DardanaPress rekomandon autoritetet komunale që të angazhohen në adresimin e këtyre rekomandimeve:
1. Komuna të bëjë hulumtimin e tregut në mënyrë që të sigurohet se çmimet e kontraktuara janë të arsyeshme dhe në përputhje konform me çmimet e tregut.
2. Po ashtu, komuna duhet të ketë në konsideratë edhe kohën e inicimit të procedurave tenderuese për blerjen e drunjve, saktësisht këto procedura të zhvillohen përgjatë sezonës së verës ku normalisht çmimet konsiderohet të jenë më të ulëta në treg.
3. Komuna të bëj planifikim të duhur të prokurimit, respektivisht vlerësim real dhe sa më efektiv të nevojave në mënyrë që të mos detyrohet që të inicioj aktivitete të prokurimit pa planifikim dhe po ashtu t’i përmbahet planifikimeve për tenderët e planifikuar.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë:Zyrtarët e zyrës së prokurimit ,qytetar,pjesëtarët e Shoqërisë Civile dhe mediet lokale. /2LONLINE.com/