Një kullë vrojtuese bregdetare, e ndërtuar para gati 120 vjetësh, është vendosur në rrota dhe binarë për t’u zhvendosur më larg ujit të Detit Verior, i cili ka nisur ta gërryejë bregdetin në pjesën veriperëndimore të Danimarkës.
Kur kulla 23-metërshe “Rubjerg Knude” ishte ndërtuar në vitin 1900, ajo ndodhej rreth 200 metra larg ujit, ndërsa këtë vit ishte vetëm gjashtë metra larg tij.
Zhvendosja e kullës u be me shpejtësi prej tetë metrash në orë. Në pozitën e saj origjinale, ajo ishte në rrezik nga erozioni dhe lëvizja e rërës.
Përdorimi i kullës ishte ndërprerë në vitin 1968, kur dy ndërtesa të tjera pranë saj ishin mbuluar nga rëra. Kështu, ajo ishte shndërruar në muze dhe sot atë e vizitojnë më shumë se 250 mijë vizitorë në vit.