(2LONLINE) – Lideri i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), akademik Nexhat Daci ka fajësuar qeverisjen e tanishme të vendit që me mospunën e saj ka bërë që Kosova ta humb autoritetin e saj dhe të trajtohet sikur disa vende të Afrikës.
Ai tha se pas vitit 2006 e këndej autoriteti ndërkombëtar dhe vendor ka qenë në rënie të vazhdueshme, ndërsa asnjëherë më parë, e në veçanti pas pavarësisë e këndej, nuk kanë qenë në pikën më të ulët të besimit, si në sy të miqve ndërkombëtarë ashtu edhe te vet qytetarët.
Por, i pari i dardanëve të Kosovës ka thënë se të bashkuar mund të ndërrohet kjo qeverisje e keqe dhe të ofrohet për qytetarinë një qeveri e re e cila do ta kthejë dinjitetin e qytetarëve.
Daci, kështu është shprehur të premten në Gjilan gjatë takimit të strukturave të kryesisë qendrore me kryesinë e degës së LDD-së së Gjilanit. Sipas tij, një marrëveshje e respektit reciprok të koalicionit AAK-LDD, me LDK-në dhe parti të tjera më të vogla do të ishte e fuqishme e do ta ndryshonte qeverisjen dhe do t’ia kthente autoritetin e humbur Kosovës.
Ndonëse të zhgënjyer, me partnerin nga zgjedhjet lokale, që sipas të parit të LDD-së, nuk është sjellë me dinjitet nëpër degë, akademik Daci, në njëfarë mënyre ka amnistua nga kjo kreun e AAK-së Ramush Haradinajn, por ka fajësuar liderët lokal të AAK-së.
Në këtë vazhdë ai tha se LDD si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal ka qenë e zhgënjyer edhe nga partneri lokal në Gjilan, duke thënë se LDD-ja e kësaj komune nuk e ka meritua një sjellje të papërgjegjshme të AAK-së së Gjilanit, e raste të tilla me të, ka ndodhur edhe në komuna tjera ku AAK është në bashkëqeverisje.
Por, ai le të kuptohet se megjithatë kjo nuk ka ndikuar në atë masë sa të mos vazhdojë koalicioni me AAK, por se bëri të ditur se tani për zgjedhjet nacionale i kanë adresuar një shkresë kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, përmes të cilës kërkohet qartë një partneritet i sinqertë dhe respektim i plotë i marrëveshje në të kundërtën nuk do të ketë koalicion. Ai tha se për këtë ka marrë garancion nga kreu i AAK-së se kërkesat e LDD-së janë të realizueshme dhe se në këtë drejtim, rreth AAK-LDD janë duke u ofruar tani edhe partitë më të vogla, të interesuar për të ndryshuar qeverisjen e deritanishme me Kosovën.
E, në këtë drejtim, Daci ka thënë se janë të hapur edhe në raport me LDK-në, por ai ka fajësuar një pjesë të kryesisë së ngushtë të këtij subjekti politik që po bëhet pengesë, e të cilët për shkak të problemeve personale që i kanë, janë të frikësuar dhe kanë ngecur si në një rrjetë merimange.
Përndryshe, ai ka përmendur formulën e vitit 2004, dhe për atë thotë se beson se edhe tani një bashkim qoftë në fazën paraelektorale, qoftë një marrëveshje për bashkëqeverisje të këtij koalicioni, LDK-së dhe partive më të vogla, do të mundësonte fitoren dhe një qeverisje të re që do ishte në thelb krejtësisht ndryshe nga kjo e tanishmja.
Daci tha se për shkak të qeverisjes së keq, qytetari e ka humbur vullnetin dhe besimin, por se tani Kosovës i duhet mbështetja e fuqishme e tyre që vendit ti kthehet autoriteti i humbur dhe qytetarit vullneti dhe motivi për punë. Kjo sipas tij është e mundshme dhe zgjedhjet nacionale janë një rast për të ndodh kjo.
Ndërsa, kreu i LDD-së së Gjilanit Jashar Ramadani tha se ndonëse nuk fituan në zgjedhjet e fundit lokale nuk mund të vlerësohen as humbës, sepse kanë luajtur pastër dhe se nuk është në natyrën e këtij subjekti, për të shkel mbi parime në të cilat funksionon, ndonëse kjo i ka kushtuar. Ai tha se karakteri dhe brendësia e qenies në LDD, i dallon nga të tjerët dhe këtë e dinë dhe e vlerësojnë edhe qytetarët.
Ai tha se nuk e shesin dinjitetin asnjëherë ndërsa kanë treguar përherë se kur është interesi i qytetarit, dinë të bashkërendojnë aktivitetet edhe me subjektet tjera. Edhe ai ka thënë se është duke u punuar për zgjedhje nacionale dhe dardanët e Gjilanit e kanë mbështetjen e qytetarit.
Përndryshe, LDD ka instaluar tani më këtë praktikë të mbledhjeve të përbashkëta të kryesisë qendrore me atë të degëve dhe një takim i tillë ishte edhe ky i sotshmi në Gjilan / 2lonline/