Virusi i Covid 19 burimin e tij me sa duket e ka nga Kina, mirëpo efektet e tij, ka filluar ti ndjej pothuajse çdo shtet në botë si në aspektin shëndetësor po ashtu edhe në atë ekonomik.
Shkruan: Bekim Thaqi
Disa shtete ndoqën qasjen parandaluese ku përmes izolimit dhe masave restriktive tentuan që ta parandalojnë përhapjen e virusit e të tjera si Suedia, Anglia ndoqën një qasje tjetër ku u tentua që përmes lejimit të shpërndarjes së papenguar të virusit të arrihet deri tek një imunitet masiv dhe me këtë të imunizohet popullata. Se cila palë pati të drejtë, këtë mund ta shohim pas tre ose katër muajve kur të fillojnë të bëhen bilancet se kush dhe çfarë bëri si dhe totalin e viktimave.
Kosova si një shtet i vogël, po ndjek qasjen e parandalimit dhe po mundohet që me anë të masave restriktive të qarkullimit, të bëjë izolimin e vatrave me virus dhe me këtë të ndalojë shpërndarjen e Covid 19. Sa do të jetë efektive duket se do e shohim në javët në vazhdim bazuar në lakoren e shpërndarjes së virusit, dhe sidomos edhe me anë të asaj se sa do të jetë efekti negativ në njerëz e që përkthehet në viktimat e mundshme.
Qeveria, institucionet shëndetësore dhe institucionet e sigurisë po bëjnë një punë të mirë në atë çka thuhet se mund të jetë një veprim dhe intervenim i përshtatshëm deri diku për parandalimin e përhapjes e që kjo megjithatë mbetet të shihet ne vazhdim.
Në kohën kur beteja me Covid 19 sapo filloi, në Kosove pati fërkime politike, ku pas mocionit të partnerit qeverisës u shkarkua qeveria dhe tashmë ajo është në detyrë. Sa a ishte ky veprim i mençur a jo në kohën e krizës së Covid 19 mbetet të shihet mirëpo definitivisht solli një pasiguri tek popullata dhe në vend se të merreshim me shëndetin tanë u detyruam të merreshim edhe me politikë, dhe të bënim sytë e veshët katër në mënyrë që të kuptonim se çfarë po ndodhë.
Kosova ndoshta bën pjesë në vendet e rralla, ku politikanet marrin guximin të ndërmarrin këso veprimesh në kohë krizash, dhe ku interesat partiake dalin para interesave te përgjithshme. Në një kohë kur faktori ndërkombëtar po bën presion për vazhdimin e dialogut, i cili u pat bllokuar me vënien e taksës, tashmë duket se edhe pikëpyetjet rreth një marrëveshjeje të mundshme finale po shtohen.
A mund të vihet në pyetje siguria e Kosovës në këtë kohe është një çështje që duhet të diskutohet?
Kosova si asnjëherë me parë ka nevojë të veprojë me maturi dhe mos të rrezikoje me veprime të pamatura dhe pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar gjithmonë duke ruajtur të drejtën e reagimit si shtet i pavarur në rastet me kërcënim të lartë.
Veriu është si gjithmonë i ndjeshëm dhe nëse ekziston mundësia që të eskalojë situata, ku duhet marrë hapa parandalues e jo aktivë se paku në këtë kohë kur Covid 19 ka vënë standarde tjera primare e që nënkupton efektet shëndetësore.
Pasi të kaloje periudha e krizës me Covid 19 duket se na presin sfida si në aspektin politik ashtu edhe në rrafshin e sigurisë. Deri atëherë prioritare të jetë shëndetësia, luftimi i krimit dhe korrupsionit por edhe përgatitja e alternative në rrafshin politik dhe të sigurisë në mënyrë që mos të ngelemi të papërgatitur ndaj situatave që mund të shfaqen së shpejti.