Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar shtetasit e Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt Kinës, shkaku i Coronavirusit.
Ndërkohë, ata që mund të jenë të bllokuar në Kinë, apo kanë simptoma të infeksionit nga ky virus, i ka ftuar që të kontaktojnë Ambasadën më të afërt për ndihmë.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MPJ’ja u ka bërë thirrje edhe institucioneve përkatëse shëndetësore dhe atyre të sigurisë kombëtare, që të zbatojnë masat e nevojshme të parandalimit të kësaj epidemie në kufijtë e Republikës së Kosovës, duke ndaluar në pikat kufitare të infektuarit dhe të dyshuarit e mundshëm, përfshi izolimin nga kontakti me njerëz, futjen në karantinë dhe monitorimit e gjendjes së tyre shëndetësore.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit, të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, numri i vdekjeve nga coronavirus-i, që dyshohet të ketë shpërthyer nga një rezervuar kafshësh, është rritur në 170 veta, ndërkohë që përpjekjet shkencore për të gjetur vaksinën vrasëse të virusit janë intensifikuar, edhe pse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka rrezik që zbulimi i saj të mos ndodhë edhe disa muaj.