Ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë kundërthënie lidhur me atë nëse çokollata të trash ose jo. Perceptimi më i shpeshtë është se po, për shkakun që dihet: çokollata përmban në vete shumë kalori. Por, tash së fundi, një ekip studiuesish dhe mjekësh nga universiteti Granada i Spanjës ka dalë me një tezë të re: përkundër sheqerit dhe yndyrërave që përmban, ëmbëlsira që prodhohet nga druri i kakaos nuk të trash (shëndosh).
Studiuesit e përmendur kanë përcjellë 1500 tinejxherë nga vende te ndryshme të Evropës, të cilët kanë konsumuar rregullisht çokollatë dhe ndryshe nga mendimi i përhapur, në fund të periudhës së studimit, kanë qenë më pak të trashë.
Sasia e gjithfarshme e yndyrës së trupit të tyre ka qenë madje më e vogël se përpara. Sipas udhëheqësve të këtij studimi, “fajtor” për këtë efekt pozitiv të çokollatës del të jetë substanca që përmban ajo në vete me emrin Catechine. Kjo substancë ndihmin në prodhimin e cortisolit dhe po ashtu e ndikon edhe procesin e metabolizmit të sheqernave.
Leksioni që del nga ky studim është veç tjerash edhe ai se artikujt ushqimorë, kur është fjala për efektet e tyre ne shtimin e peshës sonë nuk bën të vlerësohen vetëm nga sasia e kalorive që ato përmbajnë.