Në kampionatin e 20-të Botëror të Futbollit i cili fillon sot në Brazil, do të marrin pjesë 32 ekipe kombëtare, ndërsa në një prezantim të lojtarëve që duhet të shikohen nga afër.Rrjeti televiziv CNN në mesin e 32 futbollistëve, duke zgjedhur nga një prej secilit ekip, ka veçuar edhe dy shqiptarë me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri që do të mbrojë ngjyrat e Zvicrës dhe Adnan Januzaj nga ekipi kombëtar i Belgjikës. Është një krenari për Kosovën që përfaqësohet me disa futbollistë në këtë ngjarje kryesore botërore të futbollit dhe edhe më nder kur dy prej tyre veçohen nga 32 ekipet pjesëmarrëse.
Për Xherdan Shaqirin CNN thotë se ndonëse zvicerranët nuk kanë një forcë të madhe sulmuese, 22-vjeçari është krahasuar me sulmuesit më të mëdhenj në botë. Dhe, duke dhënë përgjigje se pse nuk është dëgjuar aq shumë për te numërohen tri arsye: Franck Ribery, Arjen Robben dhe Thomas Mueller, mesfushorët bashkëlojëtarë në Bayern Munich, të cilët thuhet se do të jenë ‘mentorët më të mirë për yllin që po lulëzon.’
Në komentet për ekipin kombëtar të Belgjikës, CNN thotë se belgët janë të rinj, por asnjëri nuk është më i ri se sa mrekullia e Manchester United, Adnan Januzaj. Në debytimin e e tij të parë për Manchester United, 18 vjeçari shënoi dy gola duke siguruar fitoren mbi Sunderland.
Për Januzajn CNN thotë se ekziston edhe një legjendë ku thuhet se që në moshën 6 vjeç ai kishte shënuar 17 gola gjatë një ndeshjeje. Dhe në qoftë se atij i jepet rasti për të luajtur, ‘me siguri nuk do t’i mungojë vetëbesimi,’ thotë ndër të tjera rrjeti i njohur televiziv amerikan CNN.