Seanca e djeshme e Kuvendit Komunal, në Bujanoc, për pak sa nuk u kthye në një “Parlament” të vogël të Kosovës. Zënkat mes këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, kanë mundur të shndërrohen në një përleshje verbale.
Sherri mes këshilltarëve shqiptarë plasi, kur ata të opozitës kërkuan, që në rend të ditës të vihet ndërrimi i emrit të Sheshit “Karaxhorgje” dhe në vend të tij të vihet Sheshi “Skënderbeu”.
Në seancat e mëparshme ka pasur propozime, që sheshit të qytetit të Bujanocit, t’i vihet emri i humanistet sonë të madhe “Nëna Tereze”, mirëpo as kjo nuk ndodhi, meqë këshilltarët serbë pjesë e qeverisjes së pushtetit lokal të Nagip Arifit dhe Jonuz Musliut, nuk e votuan!
Replikat me akuza të rënda në mes kryetarit të Kuvendit Komunal, Jonuz Musliu dhe këshilltarit nga radhët e opozitës Fatmir Hasani, desh e çmendën Kuvendin, institucionin më të lartë të pushtetit vendor.
Foltorja e Kuvendit Komunal, të Bujanocit, ka vite që është bërë arenë e konflikteve partiake, duke lënë anash vendimet shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.
Komuna e Bujanocit, për rreth 30 vjet e mban emrin e Sheshit “Karaxhorgje Petroviq”, i cili qëllimisht ia zuri vendit Sheshit “Mareshali Tito” !
Në atë kohë të vështirë komuniste, askush nuk i pyeti ata pak këshilltarë shqiptarë, ish delegatë të Kuvendit Komunal të Bujanocit, për një ndërrim të tillë të emërtimit të sheshit të qytetit.
Pas 30 vjet sundimi të emërtimeve sllave në Bujanoc, për 30 këshilltarë shqiptarë të Kuvendit Komunal, erdhi shansi i shumëpritur për ndërrimin e emrit të sheshit të qytetit. Por, kjo nuk ndodhi për shkak përçarjeve shqiptare, kanceri i shoqërisë sonë.
Historia e Kuvendit komunal të Bujanocit, nuk mban mend të ketë pasur më shumë këshilltarë se sa në këtë mandate i cili dalëngadalë po ia lëshon vendin mandatit të ri, i cili pritet të ndërrohet me zgjedhjet të parakohshme në Serbi.
Vitin e kaluar qeverisja lokale e Bujanocit, me një projekt kapital infrastrukturor, e bëri restaurimin e sheshit të qytetit, i cili kushtoi me qindra mijëra euro, duke futur nën beton, madje edhe trashëgiminë kulturore të kalldrëmit oriental.
Të gjitha këto investime, angazhime, përkushtime Bujanoci mbetet po ai i kohës së Rangjel Velkoviqit, kur të drejtat e shqiptarëve nëpërkëmbeshin deri në ekstremitet!
Mirë, që janë në prag zgjedhjet e reja lokale e parlamentare e elektoratit shqiptar t’i hapen sytë, për të votuar njerëz meritorë.