Tabloidi britanik “Daily Express” zbulon një prapaskenë interesante të merkatos së verës, e cila mund të rezultonte një bombë e vërtetë për tregun e shitblerjes së lojtarëve.
Sipas të dhënave ende të pakonfirmuara, Jose Mourinho ka bërë një ofertë prej 150 milionë Eurosh në adresë të Barcelonës për Lionel Messin.
Pavarësisht se “Special One” nuk ka shprehur asnjëherë simpati për numrin 10, oferta është prezantuar në adresë të klubit katalanas që mesa duket e ka refuzuar duke kthyer një përgjigje negative. Një detaj interesant që konfirmon edhe një herë faktin se klubet angleze planifikojnë të bëjnë shpenzime marramendëse për të rritur edhe më shumë cilësinë e Premier League.
Nga ana tjetër, Manchester United vazhdon të studiojë terrenin për një rikthim të mundshëm të Cristiano Ronaldos dhe nëse “Djajtë e Kuq” shkëpusin portugezin nga Reali i Madridit, nuk është për t’u hedhur poshtë as largimi i Messit nga klubi ku u rrit profesionalisht. La Liga pa konkurrentin e tij më të fortë do të ishte më pak e luftuar dhe stimujt në këtë rast do të mungonin. Por nëse Messi dhe Ronaldo mund të udhëtopjnë drejt ishullit, yje të tjerë mund të largohen.
Mesut Ozil po monitorohet nga Pep Guardiola që planifikon të bëjë një ofensivë në Londër gjatë mnuajve të verës për të shkëputur nga Arsenali mesfushorin me origjinë turke, i cili nuk po përmbush pritshmëritë e “Topçinjve”. Një merkato e çmendur po projektohet, lojtarët më të njohur të planetit mund të ndryshojnë fanella, por deri atëherë, kemi përpara një sezon të gjatë që mund të ndryshojë rrënjësit tablonë aktuale.