Telefonat i kemi prodhim të huaj, kompjuterët prodhim të huaj, makinat me të cilat shesim mend, prodhim të huaj. Këpucët duam t’i kemi firmato, do me thënë prodhim të huaj, jakne e pantallona prodhim të huaj. Madje edhe hudhrën prodhim të huaj.
Shkruan: Ardian Azemi
A mund të mburremi me produktet e patateve…?! A është mburrje që vetëm një përqindje të vogël të kërkesave e mbulojmë me grurë, misër, e produkte të qumështit, të vajit e të cilat as afërsisht nuk i plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian?!
Sa shqiptarë i kemi në botë e që bota e përparuar merr shembull prej tyre.. Çka i kemi ofrua shkencës, sa kemi kontribuua në këtë fushë dhe çfarë zbulime kemi bë ne si shqiptarë..?!
Jo. Ne jemi asgjëkund. Ne nuk lexojmë, nuk angazhohemi dhe nuk e duam punën. Edhe si popull edhe si komb, e duam gjumin, ndërsa duam të pasurohemi materialisht, mundësisht shpejt dhe pa mundi. Ne duam profesione që na mundësojnë komoditet, me kollare dhe në karrige që sillen. Refuzojmë t’i përvishemi punës e prodhimit, i duam të gatshme, ani pse të kushtueshme. Populli ynë e do anarkinë, sepse veç ashtu arrin të justifikoj dembelizim e vet. Ne refuzojmë deri në ekstrem të zgjohemi ora gjashtë në mëngjes, e të punojmë gjatë ditës. Ne jemi spontant, jetojmë ashtu siç na servohet, assesi të programuar e me orar.
Përderisa në shtetet e zhvilluara mesatarja e leximit është tridhjetë libra në vit, tek ne është tridhjetë libra në jetë; veç ato të studimeve, sepse detyrohemi për shkak të studimeve, jo për qëllim të nxënies së dijës. Ne jetojmë me emocione, pa analizë, pa qëllime në jetë e pa mendua për të ardhmen. Jetojmë aty për aty. Kjo na mjafton!
Jemi popull që formën e vetme për tu pasuruar materialisht e shohim përmes politikës. Ne nuk pajtohemi dot që të pasurohemi në mendje, në mënyrë që të prodhojmë kuadro të cilat më pastaj kanë me krijua kushte që të bëhemi një vend prodhues e jo veç konsumues. Ne thjeshtë dhe pa pikë marreje, nuk pajtohemi me suksesin e bashkëkombasit, bashkëqytetarit, sepse suksesi i tjetrit që është i një ideje me ty, merret jo si diçka që prodhon të mira që i gëzojmë të gjithë bashkërisht, por merret si rrezik për qëllimet individuale, grupore dhe partiake. Pra, veprimet tona nuk prodhojnë konkurrencë mes shteteve, por veç konkurrencë të pistë brenda sojit.
Kërkesa kolektive nuk është për tu çliruar, hapur e integruar. As arsimuar e edukuar, prodhuar e eksportuar, por kryesisht për të gllabëruar. Ne sillemi me shtetin tonë sikur të ishim okupator, të marrim çfarë të mundemi, të sillemi si të duam dhe ikim nga këtu. Shteti, në rrafshin e brendshëm, konsiderohet si kompani private, pronari i së cilës nuk ndodhet këtu porse grupe punëtorësh garojnë pamëshirshëm e pameritueshëm me u bë të parët.
Në rrafshin e jashtëm, ngarendim kush më shumë e kush më pak të nënshtrohemi, të bëhemi servil ndaj të huajve, të fuqishmëve. Sillemi ashtu sikur ekzistenca e shtetit tonë varet nga dëshira e të huajve, e jo nga puna, angazhimi e vullneti ynë. Ne duam të jemi sa më afër të huajve, rrjedhimisht më larg popullit tonë. Të qenit i dëgjueshëm ndaj të huajve po na bënë më të pakapshëm nga qytetari ynë. S’ka rëndësi nëse jemi pa vlerë, pa dije e të papërspektivë, rëndësi ka që të jemi në pozita, sepse këto të fundit na e krijojn autoritetin e mveshur me pushtet, dhe kësisoj e mbulojmë mosdijen.
Për fund, pa prodhim e pa cilësi, pa lexim e pa dije, pa qytetari aktive e pa aktivizëm qytetarë, pa qeveri të mirëfilltë e pa opozitë me kokë të shëndosh, nuk bëhet as shteti, as prodhimi, as drejtësia e shëndetësia, as integrimi e as partneriteti me shtete të zhvilluara. Me punë e pa fanatizëm, me ndershmëri e sinqeritet, me dashni ndaj popullit e shtetit, janë zhvilluar shtetet, janë ngritur organizatat, dhe sot janë këtu ku janë.
E kemi rastin edhe ne, nuk jemi të vonuar, porse as nuk guxojmë të mendojmë se ka kohë për nisje kah e mbara.