(Analizë e shkurtër rreth rezolutës së Kombeve të Bashkuara që u votua për ruajtjen e statusit të gjertanishëm të Jerusalemit dhe kundërshtimit ndërkombëtar ndaj vendimit të presidentit Trump për të njohur Jerusalemin, kryeqytet i Izraelit).
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dy të tretat e shteteve të botës sfiduan presidentin Donald Trump dhe kërcënimet e tij se do t’i ndërpresë ndihmat për shtetet të cilat eventualisht votojnë rezolutën. Ky sfidim ishte votimi pro rezolutës e cila kundërshton çdo masë të re, çdo vendim ose veprim të ri që qon në ndryshimin e statusit ndërkombëtar të Jerusalemit. Rezoluta shpalli të pavlefshëm vendimin e presidentit Trump dhe bënë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Mbrëmë gjithashtu, dy të tretat e shteteve të botës, anëtare të OKB-së, i thanë kryeministrit izraelit se nuk mund të veprojnë njëanshëm për ta bërë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit. Pa marrë parasysh kërcënimin edhe të ambasadorit izraelit në OKB-së se do t’i mposhtin të gjithë ata që kundërshtojnë vendimet e Izraelit, Izraeli kësaj radhe ka pësuar disfatën më të rëndë në dy-tri dekadat e fundit. Nga 193 shtete sa janë anëtare në Kombet e Bashkuara, 128 prej tyre mbështetën rezolutën (Shqipëria është në mesin e tyre), 9 shtete votuan kundër, 25 shtete abstenuan, ndërsa 21 shtete nuk morën pjesë në votim. Rezoluta ishte përgatitur dhe deponuar nga Turqia dhe Jemeni; e para në emër Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ndërsa i dyti në emër të Ligës Arabe. Mali dhe Afganistani janë dy vendet e vetme islamike që në momentin e fundit u tërhoqën nga miratimi i rezolutës.
Në fjalën e tij para votimit, ministri i jashtëm palestinez Riyad al-Maliki tha se Jerusalemi është çelësi i paqes në Lindjen e Mesme dhe se vendimi amerikan nuk do të ndikojë në statusin ligjor të Jerusalemit. Ai tha gjithashtu se vendimi i Trump, para së gjithash do të dobësoj pozitën e Washingtonit si ndërmjetës i procesit të paqes në Lindje të Mesme. Edhe ministri i jashtëm turk Mevlud Çavusoglu tha se votimi pro rezolutës ishte vendim shumë i rëndësishëm, sepse u pa se palestinezët nuk janë të vetmuar. Çavusoglu kritikoi ashpër kërcënimet e Trump dhe tha se ky qëndrim i tij është i papranueshëm për botën.
Çështja që lë hapësirë për interpretime është edhe qëndrimi i 35 shteteve që abstenuan në votimin e rezolutës. Pyetja është se a thua këto shtete abstenuan për shkak se nuk dëshiruan ta shohin SHBA-në e izoluar në OKB, apo, për shkak të frikës nga ndonjë vendim i papritur i SHBA-ve ndaj tyre?!
Çfarë mund të ndodh tani e tutje?
Vendimi i mbrëmshëm që doli nga mbledhja e jashtëzakonshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregon se bota si asnjëherë më parë po ballafaqohet me forcën dhe me “armën” e financave të cilat po përdorën për të imponuar vendime të rëndësishme politike. Në seancë, përfaqësuesi i Venezuelës tha se bota nuk është në shitje dhe se nuk ka çmim që mund ta blejë atë. Është e vërtetë se forca dhe paraja janë mjete të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, po ama, sipas asaj që u pa, ligjshmëria doli të jetë më e fuqishme. Për sa kuptoj gjeopolitikën e Lindjes së Mesme, kërcënimi me ndërprerjen e ndihmave për shtete të rajonit, nuk do të prekë vetëm shtetet që votuan pro rezolutës, por, do të vë në pikëpyetje edhe mundësinë e ndikimit të mëtutjeshëm të SHBA-ve mbi ato shtete. Ndihmat amerikane për shtetet e rajonit kanë qenë dhe janë lidhja dhe fuqia e ndikimit të SHBA-ve mbi to. Andaj, mendoj, ky vendim i mundshëm do të ketë refleksione të dyanshme. E them këtë sepse shtetet e fuqishme që japin ndihma për shtete të dobëta, sa e bëjnë këtë për t’u ndihmuar, po aq më shumë e bëjnë edhe për të ushtruar ndikim mbi ato vende.
Ku po mbetet roli i OKB-së?
Njëra prej problematikave më të ndjeshme që mund të ndërlidhet me votimin e rezolutës së mbrëmshme është pikërisht roli dhe fuqia e së nesërmes së OKB-së në botë. Presidenti Trump, edhe përgjatë fushatës së tij elektorale kishte thënë se, nëse zgjidhet për president, vendi i tij do të rishqyrtojë kapacitetin e tanishëm të financimit të OKB-së. Mbrëmë ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley e cila është e martuar me një shqiptar me prejardhje nga Shqipëria, përsëriti kërcënimet e saj ndaj vendeve që do mbështesin rezolutën, dhe la të kuptohet se kërcënimi amerikan për ndërprerjen e financave i ishte drejtuar edhe vetë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara do të kujtojnë këtë ditë kur ne po izolohemi dhe po sulmohemi në këtë Asamble, thjeshtë, për shkak të ushtrimit të së drejtës sonë që të sillemi si shtet i pavarur. Do ta kujtojmë këtë edhe atëherë kur do të kërkojnë nga ne përsëri të japim kontributin tonë financiar Kombeve të Bashkuara dhe do ta kujtojmë kur disa vende do të kërkojnë nga ne, siç bëjnë gjithmonë, të paguajmë për ta dhe të përdorin ndikimin tonë në të mirën e tyre”.
Një segment tjetër i rëndësishëm që lidhë Jerusalemin, Lindjen e Mesme dhe rezolutën e mbrëmshme është qëndrimi i përsëritur disa herë i presidentit Trump se SHBA-të, shteti më i fuqishëm i botës, janë të gatshme të përdorin edhe forcën, në favor të vendosjes së paqes në Lindje të Mesme. Forca nuk është mjet për arritjen e paqes, kishin shkruar menjëherë analistë të njohur të botës. Pezmin që shkaktoi ajo deklaratë, në Lindje të Mesme dhe më gjerë, vetvetiu shtron dilemat nëse po ndryshon diskursi i gjuhës diplomatike, apo, në rastin më të keq, logjika e forcës po triumfon mbi forcën e ligjshmërisë ndërkombëtare. Se a është kjo gjuhë, gjuhë diplomatike, këtë mund të na thonë më mirë ekspertët e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjithsesi, mendoj unë, ky qëndrim i presidentit Trump është dhe do të jetë qëndrimi ta quaj zyrtarë dhe vetë politika e SHBA-ve karshi botës.
S’ka dyshim se në marrëdhëniet ndërkombëtare ndikojnë fuqishëm edhe forca edhe ligjshmëria. Historikisht, as njëra e as tjetra si të vetme nuk kanë mund të japin përfundime të qëndrueshme. Sikur që, asnjëra tjetrën nuk mundi ta zëvendësojnë në staza të gjata. Më e rëndësishme se kjo, është fakti se forca jo gjithmonë është alternativë e mirë e ligjshmërisë dhe konventave të nënshkruara në arenën ndërkombëtare.
Paraja dhe e drejta për të jetuar!
Pyetje të shumta mund të shtrohen në lidhje me logjikën e re që është duke gjetur shtrirje në botë kohëve të fundit: Çfarë nënkupton kushti për mbështetje financiare në vendimet e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare? Sa janë të qëndrueshme shqetësimet në arenën ndërkombëtare se financat do të vendosin për shtete dhe shoqëri të ndryshme? Sa mund të preken Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera si ato, nga kjo logjikë e gjuhës së re diplomatike në arenën ndërkombëtare, apo, çka do të bëhet me shtetet e varfra, me ato që nuk kanë mjete, por kanë të drejtë, po nuk patën financa apo nuk pati kush t’i mbështesë financiarisht në arenën ndërkombëtare?
S’do mend se mbledhja emergjente e mbrëmshme e Asamblesë së Përgjithshme u bë në pajtim me rezolutën 377 të vitit 1950, e njohur si Bashkimi për Paqe dhe është një mekanizëm alternativ në rastet kur Këshilli i Sigurimit nuk arrin njëzëshmërinë midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për problemet që eventualisht kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.