Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku ka vizituar sot komunën e Preshevës, duke u bërë zyrtarja e parë e qeverisë së Kosovës që qëndron në Luginë.
Ajo gjatë gjithë vizitës ka qenë nën përcjellje të zyrtarëve të BE-së në Beograd, atyre të sigurimit të caktuar nga qeveria e Serbisë, derisa është takuar me kryetarin e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa.
Nga administrata komunale e Preshevës në takim kanë prezantuar kryetari Mustafa, ai i kuvendit komunal, kryeshefi administratës, kryetarja e Forumit të Gruas së PDSH-së, ndërsa Çitaku ishte e shoqëruar nga Këshilltari i lartë politik Taulant Kryeziu.
E vetmja fjalë që kanë mundur ta kapin mediat nga Vlora Çitaku ishin fjalët e mirëseardhjes dhe falënderimeve.
Pas përfundimit të takimit i cili zgjati gati një orë, asnjë nga bashkëbiseduesit as Çitaku e as Mustafa nuk janë prononcuar për media. Çitaku gazetarëve iu tha se shihemi në Prishtinë.
Mos deklarimi për media mundë të ket qenë pjesë e protokollit të vizitës së lejuar nga qeveria serbe. Sido që të jetë ministrja e integrimeve evropiane e qeverisë së Kosovës, bëhet kështu zyrtarja e parë që viziton Luginën e Preshevës, raporton Titulli.
Në këtë udhëtim, Çitaku poashtu vizitoi edhe shkollën fillore “Selami Hallaçi” ku bëri një donacion simbolik të librave shkollor për nxënësit e kësaj shkolle dhe me këtë rast bëri publik zotimin e Qeverisë së Kosovës për financimin e themelimit të një Biblioteke për qytetarët e kësaj zone.
Kjo vizitë ka qenë e paralajmëruar qysh javën e kaluar. Ndërsa po javën e kaluar ministrit të arsimit Ramë Buja, dy herë rresht iu është refuzuar vizita në Preshevë./Titulli.com/