Janë pjekë kushtet që përgjegjësit e arsimit të republikës së Kosovës të ulen dhe të shqyrtojnë mënyrën e organizimit të ekskursioneve. Më në fund dikujt iu mbush mendja që të përpiqet t’i bindë anëtarët e Komitetit të Arsimit që t’i propozohet kuvendit komunal të merr vendim për ndryshimin e mënyrës së organizimit të ekskursioneve, ashtu siç duhet në kushte dhe rrethanat tona.
Shkruan: Ismet AZIZI
Rexhep Mitrovica në Parlamentin e parë të dalë pas Kongresit të Lushnjës u zgjodh deputet i prefekturës së Kukësit dhe në kabinetin qeveritar të kryesuar nga Xhafer Ypi mori detyrën e Ministrit të Arsimit. Rexhep Mitrovica i konfirmuar tashmë si një intelektual i nivelit europian dhe si një atdhetar i flakët, për ndryshimin e gjendjes së rëndë në arsim, ai kishte thënë: “t’a rrisim brezin e ri të popullit tonë me ato dituri, me ato cilësi morale e kulturore që shqiptarët të përmenden ndër popuj të siujdhesës ballkanike, jo vetëm si ma i vjetri, por edhe si ma i përparuemi për fisnikri dhe bujari”.
(http://gazetatelegraf.com/prof-dr-dritan-spahiu-rexhep-mitrovica-nje-nder-themeluesit-e-arsimit-kombetar-shqiptar/)
Ekskursioni është një udhëtim i organizuar nga një grup i njerëzve, i cili zakonisht bëhet në kohën e lirë, me qëllim arsimi apo për aktivitet fizik, vizitë të një vendi, nganjëherë për punë dhe qëllime të tjera. Por, kur kemi të bëjmë me ekskursionet shkollore nënkuptohet se kemi të bëjmë me ekskursionet mësimore. (https://2lonline.com/arkiva/arsim/11422-disa-ceshtje-rreth-organizimit-te-ekskursioneve-neper-shkollat-tona.html)
Me ekskursion mësimor duhet të nënkuptohet zhvillimi – mbajtja e mësimit jashtë objektit shkollor, e kurrsesi me qëllim argëtimi apo ahengu, siç praktikohet zakonisht me nxënësit tanë. Objektiv i ekskursionit mësimor, patjetër duhet të jetë arritja e njohurive të cilat duhen të arrihen, por që nuk mund të demonstrohet në objektet shkollore.
Me një fjalë, ekskursioni mësimor është formë e veprimtarisë jashtëshkollore e mësim nxënies.
Detyrë e ekskursionit mësimor është që nxënësit t’i përcjellin njohuritë elementare nga disa tërësi mësimorë-shkencore drejtpërdrejt në hapësirë dhe në këtë mënyrë të arrijnë perceptime të qarta dhe të arrijnë njohuri të përhershme.
Ekskursionet duhet të jenë në përputhshmëri me plan programin mësimor, të planifikohen me kohë, d. m. th, në fillim të vitit shkollor, në mënyrë që të mund të jenë të realizueshme dhe duhet të kenë objektiva të caktuara mësimore.
Ekskursionet përbëjnë formë komplekse të udhëtimit i cili nënkupton aplikimin e metodave të ndryshme: Vëzhgimi i drejtpërdrejtë i hapësirës, bisedat hulumtuese, shfrytëzimi i instrumenteve të ndryshme, punimet hartografike, paraqitjet grafike, bisedat mësimore, referime, përshkrime, referate të nxënësve, ese, etj.
Nxënësit gjatë ekskursionit zhvillojnë shoqërizimin, solidarizimin, të organizuarit, tolerancën, etj. Mandej tek nxënësit ekskursioni ka rëndësi të madhe edukuese; zhvillon pikëpamjet shkencore mbi botën, ndjenjat estetike dhe emocionale. Kur kemi të bëjmë me ekskursionet të cilat kanë të bëjnë me njohjen e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të trojeve tona, nxënësit do t’i duan, aq sa i njohin ato.
Ekskursionet e kohëpaskohshme kontribuojnë në zhvillimin e organizimit të nxënësit, forcojnë dhe stabilizojnë jetën e tij emocionale.
Mësimdhënësit gjatë ekskursionit arrijnë të ngritën profesionalisht dhe ti njohin nxënësit më mirë.
A dimë të organizojmë dhe a duhet ndryshuar mënyrën e organizimit të ekskursioneve?
Vetë fakti se, organizimi i ekskursioneve për nxënës shihet si një biznes mjaft fitimprurës për agjencitë turistike, por edhe për mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave të cilët në tërë këtë aktivitet, siç thuhet në opinion, e kanë llogarinë e tyre, patjetër duhet ndryshuar mënyrën e organizimit. Pra, nëse themi se duhet ndryshuar mënyra e organizimit, atëherë nënkuptohet se nuk dimë të organizojmë ashtu siç duhet.
Organizimi i ekskursioneve mësimore kishte me qenë shumë më i mirë të organizohen sipas seksioneve, sepse në këto ekskursione do të shkonin vetëm nxënësit e interesuar për të cilët nuk është me rëndësi vetëm argëtimi dhe shëtitja.
Problemi nuk është vetëm te organizimi i ekskursioneve. Ne ngecim, ose fare nuk punojmë nëpër seksione. Nuk jam i sigurt se kemi diçka të shkruar në letër ndonjë plan të punës në seksione. Në kuadër të plan programeve të seksioneve duhet futur edhe planin e organizimit të ekskursioneve. Në kuadër të programeve të tyre, p.sh. seksioni i historisë, do të organizonte ekskursion mësimor në Krujë dhe Lezhë, ai i Gjeografisë në Dajt dhe Luginën e Valbonës kurse biologët do të organizonin ekskursionin në Alpet Shqiptare etj, etj.
Organizimi i ekskursioneve sipas seksioneve do të ishte shumë më i suksesshëm dhe në ekskursion do të shkonin vetëm ata nxënës të cilët janë të mishëruar me lëndën gjegjëse. Pse themi se është kështu. Asnjëherë nxënësi nga seksioni i historisë nuk do të pranonte të shkonte për të vizituar Luginën e Valbonës, ujëvarën e Rragamit, as malin e Dajtit e as kanjonet e Osumit- Skaraparit. Sikurse nxënësi i seksionit të Biologjisë nuk do të shprehte gatishmëri të vizitonte amfiteatrin e Durrësit apo Apoloninë. Mandej, a ka logjikë nxënësit e drejtimit të teknologjisë të shkojnë 5 ditë që të qëndrojnë në Durrës pa e vizituar për 12 vjet Kombinatin Trepça ose mihjen sipërfaqësore të thëngjillit, bie fjala në Bardhin e Madh.
Me një punë me përkushtim të duhur në seksione, gjatë tre viteve të shkollimit në shkollë të mesme, do të ishte një mënyrë e përzgjedhjes së nxënësve që nga fillimi i shkollimit të mesëm. Nxënësit me kohë do të orientoheshin edhe me interierin e ekskursionit dhe me objektet që do të vizitoheshin, qofshin ato të trashëgimisë kulturore apo ato të natyrës. Kështu do të rritet interesimi i nxënësve për degët të cilat do t’i studiojnë në të ardhmen dhe një dashuri më të madhe për trojet tona.
Ekskursionet më tepër se njëditore duhet të organizoheshin disa herë gjatë vitit me paralele të ndryshme e jo të gjitha përnjëherë. Si mund të organizohet një ekskursion i suksesshme për 900 nxënës të një shkolle (siç ka ndodhë me nxënësit e Gjimnazit “ Zenel Hajdini” para disa viteve), kur duhet siguruar rreth 18 autobus, të sigurohet vendosja dhe ushqimi i tyre. Shtrohet pyetja, si do të ekzekutohet vizita e një kompleksi turistik me një numër aq të madh të nxënësve?!
Ekskursionet njëditore për klasat e IX- ta, duhet shikuar mundësia e organizimit sipas seksioneve, edhe atë më herët, jo vetëm kur të dalin në klasën e IX-të së bashku me nxënës anëtarë të seksioneve, pavarësisht se cilës klasë i përkasin. Për shembull, pse mos të organizohet një orë mësimore në Institutin Hidrometeorologjik apo ndonjë liqe akumulues me të gjithë nxënësit e seksionit të gjeografëve? Pse mos të organizohet në kalanë e Artanës p. sh. me klasat e VI -ta.
Vetëm një shembull, kur organizohen ekskursionet për klasat e IX-ta, kur të gjitha shkollat e Kosovës organizojnë interierin dhe kohën e mbajtjes pothuajse të njëjtë në Prekaz, Mirushë dhe e përfundojnë zakonisht në Prizren, kur vështirë se mund të kontrollohet lëvizja e nxënësve nga numri i madh i tyre. Ky nuk mund te quhet ekskursion, por një tollovi e krijuar nga numri i madh i nxënësve nga të gjitha viset e Kosovës. Dhe, shtrohet pyetja se a mundë të arrihet efekti dhe qëllimi i ekskursionit?!
Më në fund edhe Komiteti për Arsim i komunës së Gjilanit, e ka vërejt se kështu më nuk shkon.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit të Arsimi, ndër vendimet shumë të rëndësishme, ishte edhe rekomandimi që ka të bëjë me organizimin e ekskursioneve të nxënësve të shkollave të mesme.
Ishte mendim i përgjithshëm i anëtarëve të Komitetit të Arsimit që forma aktuale e organizimit të ekskursioneve, është jo e mirë dhe e dëmshme për nxënësit. Në kuadër të këtij shqetësimi, është rekomanduar që Kuvendi Komunal të marrë vendimin për ndërprerjen e organizimit të ekskursioneve deri në hartimin e disa kritereve tjera, për të rregulluar ndryshe këtë formë të aktiviteteve jashtëshkollore, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, thuhet në informatën e lëshuar nga zyra për informim e Kryetarit të Komunës.
Në ndërkohë, Komiteti i Arsimit, Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe faktorë të tjerë relevant do t`i propozojnë Kuvendit kriteret për aprovim, që do të jenë me fuqi ligjore në organizimin e këtyre aktiviteteve, thuhet në komunikatën lëshuar nga zyra për informim.
Të themi se çështja e ekskursioneve është shumë komplekse dhe meriton një qasje studimore serioze nga organet gjegjëse të arsimit. Të shpresojmë se përgjegjësit do të organizohen dhe ta shfrytëzojnë përvojën dhe njohuritë e individëve të ndryshëm dhe t’i japim fund kësaj forme të organizimit të ekskursionit, e cila e ka humb kuptimin e mirëfilltë dhe efektin edukativ dhe arsimor. /2L ONLINE/