/2L ONLINE/ – Nuk e kisha ndër mend të merrem tutje me aferën “Pronto”, pasi çdo gjë është bërë qartë për opinionin e gjerë publik, mirëpo duke e dëgjuar më vëmendje “Dosjen e shefave XIX”, respektivisht bisedën numër 4 të të telefonatës, e cila i vërteton në mënyrën më besnike punësimet pa kritere nga ana e grupit mafioz “Pronto”,…ku bashkëbiseduesi i “shefit të shefave” emërohet Drejtor në Zyrën e Regjistrimit civil në Komunën e Klinës, pa ju nënshtruar intervistës me gojë dhe pa përmbushur asnjë kriter profesional!
Intervista në fjalë më ktheu pashmangshëm mbrapa në kohë, në vitin 2013-të, kur gjatë pushimeve në vendlindje, i dëgjoja qytetarët e Klinës duke folur në heshtje për fenomenin e emërimit të drejtorit në Qendrën e Regjistrimit Civil nga ana e “shefit të shefave”.
Rasti është mbret i botës
Pak nga kureshtja, e më shumë nga nevoja e vazhdimit të afatit të letërnjoftimit të bashkëshortes time, ju drejtova Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë. Ditën e parë, kur shkova vetëm për t’u informuar rreth procedurave të vazhdimit, me sytë e mi e pash kur zyrtarët e kësaj qendre masakruan të gjitha pasaportat e një familje mërgimtare, e cila një ditë më pas duhej të nisej drejt vendeve perëndimore.
Askund në botë nuk ndodh që të bëhet i pavlefshëm një dokument, para lëshimit të dokumentit tjetër.
Ndërsa këtu tek ne, në vendin e paradokseve, ndodh kjo dhe gjithçka tjetër si kjo.
Anulimi i dokumentit valid para dhënies së dokumentit të ri është ndëshkimi më i rëndë dhe i padrejtë që iu bëhet bashkatdhetarëve nga autoritetet vendore. Edhe pse më preki rëndë në shpirt rasti i këtij bashkatdhetari, dëshiroja të besoja se ky ishte vetëm një gabim i rastësishëm, i cili bashkatdhetarit tim i kushtoi me pagesën e haraçit në emër të procedurës së shpejtë të nxjerrjes së dokumenteve, në këtë rast prej 210 eurove, për tri pasaporta.
Mirëpo rasti i ditës së premte i 23 Gushtit 2013-të, e vërtetoi edhe një herë mënyrën e plaçkitjes së mërgimtarëve nga pushtetarët komunal. Nga pesë rastet që ishin për vazhdimin e dokumenteve ( pasaportave e letërnjoftimeve), njëra nga to ishte edhe bashkëshortja ime (të cilën asokohe për hir të mospersonalizimit të rastit nuk e bëra publik).
Tre nga pesë rastet që iu nënshtruan haraçit komunal i kaluan me sukses të gjitha testet për aplikim, ndërsa dy prej tyre (edhe bashkëshortja ime) që nuk deshën të bëhen pre e haraçit , u përballen me pengesa të pakalueshme më rastin e dhënies së gjurmëve të gishtërinjve. Pretekst nga zyrtarët e kësaj zyreje u bë “lëkura e hollë” e gishtërinjve të dy mërgimtareve,…burrat e të cilave nuk deshën t’i fërkojnë gishtërinjtë e tyre me nga 50 ,respektivisht 70 euro, për procedurën e ” përshpejtimit “.
Mirëpo edhe për këtë zyrtarja e regjistrimit civil ( letërnjoftimeve ) e tregoi “gjenerozitetin” e saj, me gjetjen e ilaçit për shërimin e gishtërinjve, duke u rekomanduar lyerjen e gishtërinjve me Margarinë për nja 4-5 ditë dhe më pastaj të kthehen prapë në këtë zyre për riprovimin e testit… në rast se nuk funksionon kjo terapi, gjithnjë sipas zyrtares së këtij shërbimi atëherë VIKTIMAT ( bashkatdhetarët ) duhet të shkojnë në qendër, në Prishtinë për ndërrimin e terapisë.
Kjo ishte ” mirëseardhja ” dhe ” përcjellja ” e mërgimtarëve që nuk pranuan rregullat (haraçin) e pushtetit.
Ditën kur ndodhi kjo ngjarje, aty prezent ishte edhe “shefi”, drejtori i sapo emëruar nga “shefi i shefave”, i cili në momentin e hyrjes së bashkëshortes time në procedurën e “skanerizimit” të gishtërinjve, largohet tinëzisht me makinë nga vendi i punës!
Edhe pse i kisha të gjitha mundësitë e intervenimit për rregullimin e kësaj çështje pa asnjë problem, nuk e bëra një gjë të tillë,…u largova nga vendi i plaçkitjes së mërgimtarëve duke ua thënë ndër sy punonjësve prezent në zyrat e hapura; “Turp ju qoftë, jeni shndërrua në shërbëtor të një pushteti kriminal”.
Nuk munda të ndalem me kaq, të nesërmen për këtë çështje dola edhe me shkrimin autorial me titull; Margarina ilaç për mërgimtarët, ushqim i mirë për pushtetarët!, i botuar në të përditshmet kosovare e në dhjetëra portale në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë.
Afera “Pronto” ka zgjuar ndërgjegjen qytetare
Për fat të keq, ky shkrim imi dhe shumë të tjerë hasën në veshët e shurdhër të pushtetarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, siç duket publikimet e fundit të audio-incizimeve të aferave korruptive dhe lidhjeve nepotike të grupit mafioz “Pronto”, kanë filluar të prekin në ndërgjegjen e shoqërisë civile, njerëzve të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi.
Një fjalë e urtë popullore thotë; “Kambana bie për ata që kanë vesh”, andaj shtrohet pyetja; ku janë drejtësia kosovare, kryeprokurori i shtetit, policia, agjensionet dhe task-forca antikorrupsion që i kanë futur veshët në lesh?
Apo, mos vallë të gjithë janë të kapur e ngulfatur nga grupet mafioze!
Afera “Pronto” dhe “shefi i shefave” tashmë janë të njohur për opinionin publik, i pazbuluar ka mbet BOSI i tyre!
Për këtë shkrim mbajë përgjegjësi civile dhe morale, dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me argumente me secilin nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë, përfshirë edhe drejtorin e kësaj zyreje. /2L ONLINE/