Jetojmë në një gjendje të jashtëzakonshme e cila dikë « e bën më të çmendur e dikë më të mençur » sipas filozofit Morin.
Çdo ditë që po kalon, na siguron dëshmi se, në jetën personale dhe shoqërore, në jetën private si dhe në atë profesionale, në marrëdhëniet e dashurisë dhe miqësore, fati ynë është shumë i lidhur me aftësinë tonë për të parashikuar. Veçanërisht, a dimë, a mundemi dhe a duam ne të kuptojmë me kohë se çfarë presin të tjerët nga ne?
Shkruan: Mirishahe Limani Hiler
Për shkak të mungesës së parashikimit, sot jemi n’këtë ditë: nuk mund të përsërisim asnjëherë sa duhet se po të kishim parashikuar, sot do të kishim paguar një çmim shumë më të ulët për sa i përket jetës njerëzore, të më të dashurve, papunësisë dhe falimentimit. Nëse do të kishim parashikuar, nëse do të kishim punuar dhe nëse do të kishim bërë të mundurën për të përmbushur nevojën tonë thelbësore të mirëqenies sociale, nuk do të ishim në këtë falimentim të dyfishtë: moral e politik.
A është tani shumë vonë?
Ka akoma kohë, por me parashikime të reja për të dy këto probleme, për të mbyllur boshllëqet politike dhe për të riparuar gabimet: duhen njerëz të rinj.
Ne ende mund t’i sigurojmë vetes mjetet për të ringjallur moralin dhe vlerat tona shoqërore në mënyrë efikase dhe më të shpejtë; ne ende mund të bëjmë një ndryshim që në vitin 2021, të kemi të ndërtuar një program solid i cili ndiqet me përkushtim duke e menaxhuar në po të njëjtën kohë pandeminë e koronavirusit që tashmë është armiku i parë që e kërcënon njerëzimin në të gjithë botën.
Arritja e të dyja këtyre qëllimeve do të kërkonte mobilizim të përgjithshëm.
Sa jemi të vetëdijshëm se ç`po ndodhë me ne e rreth nesh?!
Le të mos themi të paktën se nuk po e shohim veten se në çfarë kushtesh po jetojmë dhe se nuk jemi të lodhur që të mund t’i përballojmë ato: e para, nuk kemi asgjë që do të na siguronte se shteti ynë na garanton një pagë mujore që mbulon nevojat themelore. Aktualisht, mundësia e tij është e kufizuar, si pasojë e atyre që nuk punuan sa duhet e siç duhet; e dyta, nuk do të ishte e mjaftueshme vetëm ta themi me mençuri, se në çfarë gjendje është sistemi ynë shkollor, spitalor, ekonomik e social e të ecim siç kemi bërë shumë verbërisht deri më tani me shpresën e kotë, vetëm sa për tu mbajtur gjallë duke i relativizuar fenomenet negative, pa u përpjekur që faktorët destabilizues e parazitë t`i zëvendësojmë e të orientohemi ndryshe.
Në prag të zgjedhjeve politike sot, përtej sfidave të krizës shëndetësore, ka tema të tjera mbi të cilat është urgjente të parashikojmë, nëse nuk duam që përsëri, të mbetemi të befasuar, të mbingarkuar, e të përqendruar në shpresa të kota.
Ndoshta do të na duket absurde, t`i rrokemi temave të mëdha politike të çështjes së nxehjes së klimës globale, ku ndjehemi të vegjël e të pafuqishëm që të ndryshojmë diçka por është urgjente të përshpejtohet një tranzicion thelbësor nga shteti konsumues në një shtet prodhues. Shëndeti i mirë ekonomik i shtetit tonë dhe mjedisit në të cilin jetojmë, do të jetë siguruar vetëm atëherë kur në tregun tonë, në mbështjellësen e vogël të hudhrave do të jetë e shënuar « Made in Kosova » e kurrë më Made in Kina, Made in Turqia…! Ky është ai hapi i vogël që hapë dritare të mëdha.
Cilat janë çështjet më të ndezura që duhet të shuhen këtë vit e cilat mbesin për vitin 2022?
Nëse i lëmë gjërat të shkojnë, nëse vazhdojmë të besojmë se kjo gjendje e jashtëzakonshme mund të jetë rregull, se sektorë të tërë ekonomikë, të cilët janë bërë fantazmë në shume vende të botës ishin të pafuqishëm e lëre më ne, nga ky këndvështrim mund të mbetemi përgjithmonë në pritje. Mund të përjetojmë edhe më keq paralizimin e ekonomisë globale, duke përjetuar një krizë më të rëndë ekonomike, sociale dhe natyrisht, edhe politike.
Politika kryesore e rimëkëmbjes së shtetit do të zhvillohet nga viti 2022: nëse do të dinim, deri atëherë, t’i jepnim fund pandemisë, e ky do të jetë me të vërtetë momenti që shteti ynë do ta ketë të nevojshme të shlyejë llogaritë e bëra në emër të tranzicionit qe njëzet vite, t`u japë fund subvencioneve që i justifikon pandemia, të përballet me fundin e përfitimeve të papunësisë dhe falimentimet e panumërta të ndërmarrjeve që as bankat dhe askush tjetër nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë t’i mbështesin me forcë.
Shoqëria jonë duhet të orientohet nga njerëz të cilët do të jenë jo vetëm parashikues por edhe kreativë, të cilët mundësojnë të shihet mjedisi ynë ku jetojmë pikërisht ashtu siç është, duke filluar aktivitete profesionale që na bëjnë të ndihemi të vyeshëm e të vlerësuar e jo të vazhdojmë me po të njëjtët, gjoja se janë sektorë, të cilët deri më tani ata « sektorë » na kanë mbajtur në një mbijetesë artificiale.
Nëse nuk veprojmë tani, nëse i lëmë të gjithë të besojnë se shoqëria jonë në këtë gjendje të jashtëzakonshme mund të bëhet pjesë e botës së avancuar vetvetiu me kohën, ne do të shkojmë drejt pengesave serioze: do të vazhdojmë për një kohë për të financuar jo-punë, rrënim të shtyllës së shtetit-arsimin dhe si shtet do të falimentojmë.
Duhet, me gjithë praninë e pandemisë, të rivendosim përparësinë në punë, duke braktisur gradualisht lëmoshën nga të tjerët dhe vetëm nëse e bëjmë këtë, ne do të jemi dëshmitarë se shteti ynë është shtëpia jonë në të cilën jeta ka kuptim të jetohet.
Po që se ne duam, ne mundemi që në vitin 2021 t`i kemi udhëheqës të shtetit njerëzit projektues të veprimtarive afatgjata politike, shoqërore e ekonomike. Nëse nuk e bëjmë këtë që mundemi, viti 2022 do të ishte një vit i tmerrshëm, i cili nuk do të na hapë mundësi dhe do të bëhet vonë, në veçanti, që t`ia veshim petkun e një viti zgjedhor.
Ekziston vetëm një zgjidhje për ta shmangur vitin e tmerrshëm 2022: parashikimi se si mund t`u qasemi rreziqeve. Nëse tani fillojmë për t`i rikthyer dinjitetin qytetërimit dhe qytetarit tonë, ne duhet menjëherë të orientojmë politikën në atë që ne na duhet. Hapi ynë është i vogël por ai do t`i mundësojë udhëheqjes politike të shtetit që të fillojë programe të mëdha për të riorientuar sektorët e prekur nga pandemia, për të korrigjuar gabimet e dy dekadave « të thata » dhe për të filluar krijimin e shumë sektorëve të rinj mbi një bazë të shëndoshë, sektorë që do të nevojiten në të ardhmen. Duke shpërblyer punonjësit jo për të mos punuar, por për trajnim në profesione të reja që i duhen shoqërisë sonë.
Njerëzit që do t`i vëmë në udhëheqje të shtetit, duhet të kenë aftësinë, guximin dhe ta duan punën sepse duke parashikuar që këta duhet të jenë pjesë e projekteve të mëdha evropiane, kombëtare, rajonale, vetëm falë këtyre kapaciteteve të tyre ne mund të projektojmë dhe të zhvillojmë jetën tonë personale. Ne, falë tyre, do të mund të bëhemi çelësi i sukseseve të zhvillimit në të gjithë sektorët që na duhen, qofshin ato projekte industriale, të sektorit të shëndetit, të edukimit, teknologjisë, të higjienës, të energjive të pastra, të ushqimit, të ujit, riciklimit, kulturës, sigurisë dhe disa të tjerë.
Nëse duam të shohim një ndikim pozitiv në jetën tonë vitin e ardhshëm, tani është koha për të vendosur.
Tani është koha që autoritetet tona të reja që do ti zgjedhim më 14 shkurt të fillojnë punën e tyre në besueshmëri: pas pandemisë, vendet që do të dinë ta bëjnë orientimin e tyre në kreativitet, do të dalin fituese nga kjo krizë; të tjerët do të zhyten në rënie gjithnjë e më pak të mundur që të rikthehen.
Mbi të gjitha, këto zgjedhje të lira, janë fati ynë në fatkeqësi, i cili na mundëson të ndalemi e të mendojmë për tani, të shikojmë pak më larg, e të mendojmë për të tjerët që do të vijnë pas nesh. Nëse nga kjo krizë morale, politike dhe shëndetësore, e mësuam të paktën këtë, ne do të rritemi. /2LONLINE.com/