Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes e ka zbuluar listën prej 25 futbollistëve të cilët janë ftuar për duelin kontrollues ndaj Suedisë, i cili do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit.
Pjesa më e madhe e futbollistëve janë nga Superliga e Kosovës, një rast ky i rrallë i Përfaqësueses së Kosovës, por ende ka pakënaqësi.
Selektori i Kosovës ka vendosur që për këtë ndeshje të ftoj disa yje të Superligës, por jo edhe disa nga lojtarët që ishin në formacionin më të mirë të vitit dhe për këtë tekniku zvicerian ka një sqarim.
“Nuk është lehtë që të ndërtohet një ekip në këtë situatë. Për shembull, nëse e shikojmë 11shen e vitit në Superligën, nuk mund t’i marr vetëm lojtarët që janë në atë 11she, sepse më duhet të krijoj ekip. Për shembull, aty kemi dy mbrojtës të djathtë dhe asnjë mbrojtës të majtë. Edhe ai që figuron si mbrojtës i majtë, është në fakt i djathtë. Po ashtu ideja ka qenë që të japim shans për lojtarët e së ardhmes. Për shembull, Shabani, unë e njoh atë dhe e çmoj atë si lojtar, por është 33 vjeçar. Ideja është që ndoshta të mos marrim lojtarët më të mirë të kampionatit, por disa që mund të zhvillohen në lojtarë të mirë për ekipin kombëtar”, deklaroi Challandes në një intervistë dhënë “Insportit”.
Gjatë ditës pati reagime të ndryshme në lidhje me përzgjedhjen të cilën e bëri Challandes.